(VIDEO) S’ka rrugë të denja për “Nënë Terezën”, qentë dhe njerëzit pengojnë studentët
Në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, mungesa e transportit publik po përbën një problem të rëndësishëm për studentët, sidomos për ata që banojnë në zonat përreth kazermës Ilinden. Shumë prej tyre përballen me vështirësi të konsiderueshme në përpjekjen për të arritur në universitet në kohë, duke u detyruar të mbështeten në alternativa të tjera, siç janë ecja në këmbë ose edhe përdorimi i taksive, që shpesh herë për studentët janë të shtrenjta dhe jo shumë të përballueshme.
Kjo situatë jo vetëm që krijon vonesa në arritjen në mësime, por gjithashtu ndikon në përqendrimin dhe performancën akademike të studentëve. Ndërsa, disa përpiqen të organizojnë grupe për udhëtime së bashku, për shkak të frigës prej qenëve endacakë që ndodhen në brenda dhe jashtë zones së univerzitetit.
Ndërkaq, kjo mungesë e infrastrukturës së transportit publik është një pengesë e rëndësishme që kërkon vëmendje dhe zgjidhje nga këndvështrimi i studentëve.
Studentja:
“Mendoj që transporti publik e bën edhe me të vështirë ardhjen tonë këtu në fakultet, në univerzitet, dmth nëpër ligjerata, edhe ka vonesa, unë edhe pse udhëtoj me veturë ndonjëherë rastis që mundem mos ta kem veturën dhe për të ardhur këtu dmth nuk ka transport publik dhe është edhe pak më e vështirë dhe është zor për ata që jetojnë më larg se ne. Po kanë bërë kërkesa plot por nuk merren parasysh”.
Studenti:
“E besoj që është shumë keq, për ata që nuk kanë veturë, sepse ka njerëz që nuk kanë veturë, unë psh e kam tjetër. Ka edhe persona që tuten prej qenve, e ka shumë qenë…”
Ndërkaq, një tjetër studente vuri në pah edhe një problematikë mjaft serioze, ku theksoi se ka rastisur që studentet të bien edhe pre e shumë ngacmimeve nga njerëzit në zonën afër. Sipas saj, një linjë e autobusit do të evitonte disa nga problematikat.
Studentja:
“Besoj që ka probleme me transportin, sa kam dëgjuar prej studentëve, kanë rënë prej e shumë ngacmimeve të shumë njerëzve këtu afër, ndoshta nuk janë t’gjitha në atë grup, nuk hyjnë të gjithë në atë grup por prap ka ankesa dhe ndoshta nuk meren shumë masa për këtë çështje, duhet të ketë ndoshta ndonjë linjë të autobusit që të kishte pru më afër. Besoj që ajo kishte qenë zgjidhja”.
Përkundër që hapësirat e universitetit janë kualitative, përsëri vijojnë me shumë mangësi si ajo e transportit, qenëve endacakë si dhe mungesa e ndonjë lokali për ta shfrytëzuar në pauzat e tyre gjatë ligjeratave. Mbi të gjitha studentët shpresojnë që ankesat e tyre të merren parasysh, dhe të vijnë në përfundim me një zgjidhje konkrete si dhe funksionale.
Anida Murati /SHENJA/