(VIDEO) MPB: Dy policë të pensionuar te grupi kriminal i “Dyqanxhikut”

(VIDEO) MPB: Dy policë të pensionuar te grupi kriminal i “Dyqanxhikut”

Prokuria Publike njoftoi se janë arrestuar dy policë në pension dhe një person tjetër, pasi në periudhën nga dhjetori 2019 deri në mars 2021, të dyshuarit kanë kryer veprën penale “bashkim kriminal dhe veprën penale të vazhduar të zbulimit të sekretit zyrtar” për të ashtuquajturin Grupi i Dyqanxhikut. I dyshuari i parë dhe i tretë po ashtu kanë kryer edhe veprën penale “Pengimi i drejtësisë”, dhe i dyshuari i parë akuzohet edhe për veprën penale “Fitim dhe fshehja e pasurisë së kundërligjshme”. Aksioni është bërë nga Prokurori publik i Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të dielën në koordinim me Departamentin për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

PROKURORIA PUBLIKE

“Të dyshuarit për interesa personale të lidhur me grupin e organizuar kriminal ‘Dyqanxhik’ nga fshati Gërçec dhe si anëtarë me rol të veçantë, të motivuar nga i dyshuari i parë në rastin ‘Gërçec’, kanë transmetuar informacione zyrtare. Në periudhën e përmendur, të dyshuarit, dy prej të cilëve ish-kryeinspektorë për krime pronësore, gjegjësisht tregti të paligjshme të lëndëve narkotike, përmes të dyshuarit të tretë për grupin kriminal, kanë marrë, transmetuar dhe ndarë informacione për procedura të rëndësishme për sigurinë publike sa i përket veprimtarive të sigurisë dhe inteligjencës të organeve shtetërore”.

Sipas përmbajtjes së urdhrit të hetimit, të dyshuarit, së bashku ose individualisht, me informacionet që kanë ndarë, kanë vështirësuar vërtetimin në procedurë penale. Ata njoftojnë se  të dyshuarit sot do të sillen para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale – Shkup, të cilës prokurori publik duke vlerësuar se janë plotësuar kushtet, do t’u propozojë caktimin e masës së paraburgimit.

Rastin e konfirmojnë edhe nga MPB. Sipas policisë bëhet fjalë për 58 vjecarët me iniciale D.G dhe E.A dhe 44-vjecarin O.P të gjithë nga Shkupi.

MPB-ja njofton se të dyshuarit derisa ishin të punësuar në MPB i janë bashkuar një grupi të organizuar kriminal, për të cilët kanë mundësuar qasje tek të dhënat me sekret zyrtar dhe kanë dhënë informacione zyrtare për hetime kriminale me theks të veçantë nëse ndaj disa personave zbatohen veprime operative me qëllim të privimit nga liria. /SHENJA/

MARKETING