(VIDEO) Sot përfundon masa “shporta vjeshtore”

(VIDEO) Sot përfundon masa “shporta vjeshtore”

Sot përfundon masa “Shporta Vjeshtore” me të cilën produkteve të ndryshme ushqimore u është kufizuar marzha e fitimit. Ky vendim u mor nga Qeveria në gjysmën e dytë të shtatorit dhe në të u përfshinë 73 produkte ushqimore bazë, marzha bruto e fitimit të të cilave u kufizua në 10%. Ministri i Ekonomisë Besar Durmishi ditë më parë tha se kjo masë ka sjellur rezultate pozitive dhe paralajmëroi masa rigoroze për tregtarët të cilët pas përfundimit të masës do t’i rrisin çmimet në mënyrë drastike.

Edhe kryeministri Hristijan Mickoski tha se pret që odat ekonomike në bashkëpunim me tregtarët dhe prodhuesit të shmangin rritjen e çmimeve, dhe premtoi se Qeveria do ta mbrojë standardin e qytetarëve me të gjitha masat në dispozicion.

Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ku e përpunojnë shportën konsumatore sindikale me tregues se sa janë shpenzimet minimale të një familjeje katër anëtarëshe, thonë se masa e Qeverisë nuk i ka dhënë rezultatet e dëshiruara sepse tregtarët kanë mashtruar. Nga LSM-ja mbeten të qëndrimit se gjatë krijimit të masave, Qeveria duhet të përfshijë edhe sindikatën, ndërsa janë të nevojshme edhe kontrolle më të mëdha dhe gjoba për tregtarët e pandërgjegjshëm.

Qytetarët vazhdimisht kanë deklaruar se nuk kanë ndier zbritje të mëdha sepse siç thonin ata më herët tregtarët i kanë rritur çmimet në mënyrë të pakontrolluar si dhe pas përfundimit të masës thonë se do të zhduket edhe ulja minimale e çmimeve.

Nga qeveria kanë njoftuar se në të ardhmen “shporta e vjeshtës” do të përshtatet si “Shporta e Ramazanit”, “shporta e Krishtlindjeve” dhe “Shporta e Pashkëve”, të cilat do të jenë aktive para dhe gjatë festave, kur zakonisht çmimet e produkteve ushqimore bazë rriten. Marzha do të riaktivizohet me qëllim të mbrojtjes së standardit të qytetarëve.

Shporta e vjeshtore” ka përfshirë 73 produkte, si- buka, makaronat, mielli, produkte furre, qumësht dhe produkte të qumështit, mish dhe produkte mishi, një pjesë të frutave dhe perimeve, oriz, fasule, vaj për gatim dhe një pjesë të mallrave të konservuara.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING