(VIDEO) LSDM-ja do t’i kërkojë Bojan Hristovskit të raportojë para komisionit parlamentar
LSDM-ja kërkon nga komisioni parlamentar të hetojë punën e Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe Agjencisë së Inteligjencës. Deputetja e LSDM-së Sllavjanka Petrovska tha se LSDM-ja do t’i paraqesë iniciativë kryetarit të Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e punës së Agjencive për mbajtjen e seancës publike në të cilën drejtori i sapoemëruar i Agjencisë për Siguri Kombëtare Bojan Hristovski të jetë i ftuar dhe t’u përgjigjet pyetjeve lidhur me emërimin e tij në Agjenci, për dyshimet për certifikatën e njohjes së gjuhës angleze si dhe se ku ishte në ditën e dhënies së provimit.
SLLAVJANKA PETROVSKA, DEPUTETE E LSDM-SË
“Kemi pyetje që janë të rëndësishme për interesin e shtetit dhe të publikut dhe të cilat duam t’i ngremë publikisht dhe të marrim përgjigje. Një nga ato pyetje ka ardhur nga sinjalizuesit, punëtorë të komunitetit të sigurisë dhe zbulimit. Ku ishte Hristovski ditën e testimit, ku qëndronte një ditë apo disa ditë para datës së dhënies së testit TOEFL, por edhe shumë të tjera, lidhur me aktivitetet e tij aktuale në Agjenci, si për shembull se çfarë di edhe për faljet skandaloze. Këto janë çështje me interes publik dhe publiku ka të drejtë të dijë të vërtetën”
Petrovska pret që kryetari i komisionit parlamentar të përgjigjet pozitivisht dhe ta thërrasë seancën në afatin e paraparë me Rregulloren e punës.
SLLAVJANKA PETROVSKA, DEPUTETE E LSDM-SË
“Kërkojmë që kjo seancë të jetë e hapur për publikun në mënyrë që publiku të jetë dëshmitar i pyetjeve të bëra dhe përgjigjeve të dhëna. Nga ajo seancë, opinioni do të mund të sigurohet që pas dorëheqjes së anëtarëve të Komisionit të Faljes, të cilat ishin rregulluar nga strukturat e VMRO-DPMNE-së, të ketë një tjetër dorëheqje, këtë herë në interes të shtetit, jo të interesave partiake”.
Ajo thotë se emërimi i drejtorit të ri të ASK-së në rrethana të dyshimta dhe me certifikatë të dyshimtë të njohjes së gjuhës angleze është turpi më i madh, por edhe poshtërim për shtetin dhe profesionistët në komunitetin e sigurisë dhe zbulimit. Nga të gjithë profesionistët që e ndërtuan këtë vend, tha Petrovska, VMRO-DPMNE zgjodhi trajnerin e kik-boksit për drejtor të ASK-së.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/