Minçev: Shfuqizimi i “balancuesit” nuk paraqet rrezik për destabilizimin e vendit
“Balancuesi” ka qenë mjet i keqpërdorimeve. Garancia për çdo punësim të pjesëtarëve të të gjitha bashkësive etnike duhet të bazohet në ekspertizë, dije dhe cilësi. Mundësia që të konkurrojë secili për çdo vend pune është e drejtë kushtetuese, ka thënë ministri i Administratës publike, Goran Minçev.
Ai dje në emisionin “Triling” në TV24 ka thënë se që në fillim si ministri kanë vënë në dijeni mbi keqpërdorimin e “balancuesit”.“Ne si ministri, që nga fillimi kemi vënë në dukje në keqpërdorimin e “balancuesit” dhe qëndrimi ynë ka qenë që gradualisht në faza, si mjet digjital, të shfuqizohet. Këtë e ka bërë Gjykata kushtetuese. Garanci për përkatësinë etnike dhe punësimin e tyre në administratën publike nuk mund të jetë asnjë institucion, asnjë organ shtetëror. Pra garancia për çdo punësim të pjesëtarëve të të gjitha bashkësive etnike duhet të bazohet në ekspertizë, dije dhe cilësi. Mundësia që të konkurrojë secili për çdo vend pune është e drejtë kushtetuese”, ka thënë Minçevi.
Duke folur për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, Minçevi ka thënë se shteti nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së, por ka shtuar se janë të nevojshme garancitë që përfshirja e popullit bullgar në Kushtetutë të jetë kërkesa e fundit.
“Nuk ka asnjë forcë që mund ta detyrojë popullin maqedonas të thotë se ekziston që nga viti 1945. Nuk ka asnjë forcë që mund ta detyrojë popullin maqedonas se ka histori të përbashkët me Republikën e Bullgarisë. Nuk ka maqedonas që mund ta pranojë se Goce Dellçevi është bullgar. Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së, por atje duam të hyjmë si gjithë të tjerët – me kokën lart, sipas kritereve të Kopenhagës, bazuar në parimet evropiane të barazisë, sepse deri tani Maqedonia në kuadër të 30 viteve të ekzistencës, ka bërë mjaft lëshime. Nevojiten garanci nga BE-ja se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë do të jetë kërkesa e fundit”, tha Minçev.
Në pyetjen për trazirat e mundshme qytetare, Minçev ka thënë se kjo paraqet populizëm nga ana e partisë opozitare BDI.
“Është populizëm nga ana e partisë opozitare BDI. Pse nuk kishte tensione nga vitit 2001 deri në 2015. A ekzistonte atëherë “balancuesi”? Jo. Këtë që bën BDI që e mban shoqërinë vazhdimisht në tensione se diçka do të ndodhë, se do të protestohet, se do të cenohet siguria e quaj ‘BDI kundër BDI-së’. Në kuadër të Strategjisë nacionale për Reforma në administratën publike për vitin 2023-2030, BDI-ja dhe ministrat e saj në Qeverinë e atëhershme kanë konstatuar se “balancuesi” po keqpërdoret dhe sollën vendim se ai duhet të shfuqizohet”, ka thënë Minçevi.