Misajlovski në takimin e Këshillit Veriatlantik të NATO-s, në nivel të ministrave të mbrojtjes

Misajlovski në takimin e Këshillit Veriatlantik të NATO-s, në nivel të ministrave të mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski nga sot merr pjesë në takimin dyditësh të Këshillit Veriatlantik të NATO-s, në nivel të ministrave të mbrojtjes, në Bruksel. Ky është takimi i parë i NATO-s në nivel të lartë pas Samitit në Uashington dhe njëherit takimi i parë që udhëheq sekretari i ri i përgjithshëm Mark Rute.

Nga Ministria e Mbrojtjes kumtuan se në sesionet e veçanta, tema kryesore të diskutimit janë: kthimi dhe mbrojtja e Aleancës, mbështetja e Ukrainës dhe përforcimi i bashkëpunimit me vendet e Indo-paqësorit.

Qëllimi i mbledhjes është kontrolli i implementimit të vendimeve nga Samiti në Uashington në drejtim të përforcimit të kapaciteteve të Aleancës për përgjigje të kërcënimeve dhe sfidave në rritje.

Sot është mbajtur edhe një takim i vendeve anëtare të Koalicionit global për luftë kundër ISIS, në organizim të SHBA-së, me të cilën ka kryesuar sekretari i mbrojtjes Lojd Ostin. Nga ana e ministrit Misajlovski është theksuar se ballafaqimi me terrorizmin mbetet thelbësore për mbrojtjen kolektive, në kuadër të së cilës Qeveria e Maqedonisë do të vazhdojë të bashkëpunojë me aleatët e saj.

Në sesionin me partnerët global, ku është diskutuar për sfidat aktuale dhe pandashmëria e sigurisë globale, përveç një përfaqësuesi të lartë të Bashkimit Evropian, për herë të parë ishin ftuar edhe ministrat e mbrojtjes të Australisë, Japonisë, Zelandës së Re dhe Republikës së Koresë.

“Një sesion i veçantë i kushtohet forcimit të bashkëpunimit me Ukrainën dhe forcimit të partneriteteve globale. Në prani të presidentit Volodimir Zelenski dhe ministrit të Mbrojtjes, Rustem Umerov, do të diskutohet për Komandën e re të NATO-s për Koordinimin e Ndihmës dhe Stërvitjes për Ukrainën, mbështetjen financiare dhe iniciativa të tjera që do të mundësojnë ndihmë afatgjatë”, thuhet në kumtesë.

Në margjinat e takimeve, ministri Misajlovski realizoi takime të veçanta dypalëshe me homologët e tij nga Shqipëria, Norvegjia dhe Sllovenia, dhe bëri përpjekje për përforcim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes.

MARKETING