(VIDEO) Ministri i Drejtësisë akuzon ish-ministrin se i ka zhdukur dokumentet konfidenciale

(VIDEO) Ministri i Drejtësisë akuzon ish-ministrin se i ka zhdukur dokumentet konfidenciale

Ministri i Drejtësisë Igor Filkov ka akuzuar ish ministrin Krenar Lloga se në kohën kur është larguar nga posti ka marrë dokumentet me rekomandime nga Komisioni Europian për Këshillin Gjyqësor, kështu që thotë ai, tani Ministria e Drejtësisë ka mbetur pa dokumente konfidenciale . Sipas tij fakti që ky dokument është zhdukur nga arkivi i drejtësisë do të thotë sfidë në zbatimin e reformave në këshillin gjyqësor, për të cilat misioni vlerësues bëri vërejtje konkrete. Filkov njoftoi se përgjegjësinë për këtë rast do ta kërkojë nga ish-ministri.

IGOR FILKOV, MINISTËR I DREJTËSISË

Edhe pse dokumenti është i klasifikuar, i njejti është marrë nga paraardhësi im dhe Ministria e Drejtësisë nuk e ka. Prandaj, ne mbështetemi në versionet elektronike të disa dokumenteve që përmbajnë rekomandimet, pa shpjegim zyrtar dhe pa shkresë nga Komisioni Europian. Kjo është një pyetje për paraardhësin tim – çfarë po bënte dhe ku e mori dokumentin. Tek ne procedura po vazhdon, përgjegjësia po përcaktohet dhe do të kërkojmë përgjegjësi”.

Përveç dokumenteve që mungojnë, Filkov thotë se ka gjetur edhe buxhet të zbrazët, fatura të papaguara, park të automjeteve jofunksionale dhe të tjera.

Ish-ministri Krenar Lloga ka mohuar të gjitha akuzat dhe thotë se letra e klasifikuar nga misioni vlerësues është arkivuar në ministri të drejtësisë dhe e njëjta më pas i është dërguar kryetarit të grupit punues. Sipas tij Filkov është vetëm nënshkrues në atë institucion, ndërsa Ministrinë e drejton Radica Lazareska Gerovska, me të cilën siç tha ai e gjithë ministria ka komunikim të dobët.

KRENAR LLOGA ISH MINISTËR I DREJTËSISË

Letra nga Misioni i Vlerësimit të BE-së është marrë në mënyrë elektronike, ashtu siç e kanë marrë edhe zëvendëskryeministri Mariçiq, kryetari I Këshhillit Gjyqësor Sashko Georgiev dhe të tjerë. Një pjesë e letrës ishte për publikun, ndërsa pjesa tjetër e klasifikuar vetëm për ministrin. Ajo letër është arkivuar nga një punonjës i ministrisë që merret me materiale konfidenciale, por normalisht, znj. Radica nuk mund ta marrë të njëjtën pa një certifikatë sigurie. E njëjta letër, me lejen e misionit, është ndarë edhe me grupin e punës, përkatësisht me kryetarin akademik Vlado Kambovski”.

Lloga tha se ministria nuk ka borxhe, pasi të gjitha faturat janë paguar me kohë. “Në vend që të ishit të kënaqur që keni materialin që unë nuk e kisha, ju kritikoni pa arsye pse të gjitha ato materiale janë dygjuhëshe, përkatësisht edhe në gjuhën shqipe” tha Lloga.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING