(VIDEO) Eurointegrimet, VMRO dhe LSDM akuzojnë njëra-tjetrën për mos nisjen e bisedimeve

(VIDEO) Eurointegrimet, VMRO dhe LSDM akuzojnë njëra-tjetrën për mos nisjen e bisedimeve

Ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut dhe fillimi i negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së nxiti reagime dhe përplasje mes pushtetit dhe opozitës. Deputeti i VMRO-DPMNE-së Mile Lefkov akuzon LSDM-në dhe BDI-në si fajtore kryesore siç thotë ai se pse vendi sot është aq larg dyerve të Bashkimit Europian.

MILE LEFKOV, DEPUTET I VMRO-DPMNE-SË

Prej që e bënë selfie-n e famshme në aeroplan nga Brukseli, Maqedonia gjithnjë e më shumë po largohet nga Bashkimi Europian dhe na ka larguar edhe më shumë nga dyert e saj për shkak të politikave të këqija të LSDM-së -BDI-së. Koalicioni kriminal LSDM-BDI në vend që të premtonte fillimin e negociatave me Bashkimin Europian, na distancoi prej tij. Qytetarët e kuptuan se pas pamfletave fshiheshin manipulime për të vjedhur. Prandaj LSDM-ja u dënua në zgjedhjet e fundit, një disfatë që sa vjen e bëhet më e madhe”.

Ndërkaq, sipas LSDM-së ndarja e Shqipërisë dhe ndërprerja e negociatave me BE-në është humbje e madhe për politikat e gabuara të Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së.

LSDM

Edhe si opozitë edhe si pushtet, VMRO-DPMNE dhe Mickoski po e bllokojnë me vetëdije dhe qëllimisht rrugën europiane të vendit. Rezultatin e atyre politikave të gabuara dhe dështimeve diplomatike e shohim sot. Shqipëria po ecën përpara në rrugën e BE-së dhe Maqedonia po hyn në një pasiguri të re, pa një plan se si do të vazhdojë”.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti përgëzoi kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën për fillimin e negociatave me BE-në dhe tha se duhet bërë çmos që të sigurojmë dhe vulosim të ardhmën europiane për qytetarët e vendit tonë duke demonstruar lidership dhe përcaktim. 

Kryeministri Hristijan Mickoski dje duke folur për negociatat me Bashkimin Europian dhe problemin me Bullgarinë, theksoi se negociatat nuk do t’i zgjidhin problemet tona të brendshme, por së pari ne duhet të bëjmë detyrat tona dhe tha se qeveria është e fokusuar pikërisht në këtë, zgjidhjen e problemeve të brendshme dhe një zgjidhje për BE-në që do të jetë e parashikueshme.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING