(VIDEO) Heqja e balancuesit, Taravari gëzohet që opinioni e ka kuptuar që ka ligj, Qeveria mohon
Shfuqizimi i Balansuesit nga Gjykata Kushtetuese vazhdon të jetë tema më e përfolur në opinion. Koalicioni VLEN, të cilët janë në pushtet kanë paralajmëruar se balansuesin do ta zëvendësojnë me ligjin siç thonë, për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
Njëri ndër krerët e VLEN-it, Arben Taravari, tha se gëzohet që në opinion është kuptuar që ka ligj të gatshëm, që pritet ta zëvendësojë mekanizmin e Balancuesit. Ai komentoi edhe kërkesën e kryeministrit, Hristijan Mickoski, i cili tha se ligji fillimisht duhet të dërgohet në Komision e Venecias, ndërsa për këtë, Taravari theksoi se nuk ka asgjë të keqe që ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të dërgohet në Komisionin e Venecias, prej të cilit u shpreh se është i sigurt se nuk do të ketë mendim negativ.
ARBEN TARAVARI, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Dmth ligj të gatshëm, të cilin duhet ta sinkronizojmë dhe koordinojmë dhe asgjë të keqe nëse kërkohet mendim shtesë, por unë përsëri mendoj se as që kontestohet që ky ligj duhet sa më shpejtë të kalojë në Parliament, a që marrim mendim të dytë, nuk ka asgjë të keqe. Nëse marrim mendim negativ nga Komisioni i Venecias? Nuk mund të marrim sepse është ligj që është përpunuar me ekspertë ndërkombëtarë, tash nuk dua t’i përmendi emrat, njerëz të cilët që janë njerëz kredibil me shumë respekt në institucionet e drejtësisë ndërkombëtare”.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti tha se nuk ka asgjë kundër që pr/ligi për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të dërgohet në Komisionin e Venecias. Mexhiti nuk tregoi se çfarë do të përfshijë ligji, ndërsa tha se duhet të kihet kujdes në kategorinë kushtetuese të përfaqësimit të drejtë.
IZET MEXHITI, ZV/KRYEMINSITËR
“Çfarë do të përmbajë, nuk mund të themi, por mund t’iu them që do të ketë debat publik, ku do të përfshihen në mënyrë inkluzive akademikë nga të gjithë universitetet, profesionistë nga kjo sferë, të gjithë në funksion që të jetë zgjidhje më e mirë, afatgjate dhe zgjidhje që nuk do të mund nesër ose pasnesër të kontestohet nga dikush. Dmth duhet të kemi kujdes në kategorinë kushtetuese përfaqësim i drejtë, por njëkohësisht të mos vijmë ndesh me Kushtetutën dhe nesër pasnesër të na ndodhë kjo situatë”.
Megjithatë, zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva tha sot se Qeveria ende nuk ka marrë propozim për përfaqësim të drejtë pasi Gjykata Kushtetuese e hoqi balancuesin. Miteva thotë se çështja është e hapur dhe se do të diskutohet brenda koalicionit dhe do të hapet një debat i gjerë.
MARIJA MITEVA, ZËDHËNËSE E QEVERISË
“Për momentin nuk ka një zgjidhje të tillë që i është përcjellë Qeverisë, e as në seancë të qeverisë dhe opinioni do të njoftohet sapo të jetë rasti”.
Njejtë deklaroi edhe kryetari i Lëvizjes Znam, pjesë e koalicionit qeverisës, Maksim Dimitrievski, i cili tha se nuk është i informuar për ndonjë ligj të ri që është përgaditur.
MAKSIM DIMITRIEVSKI, KRYETAR I LËVIZJES ZNAM 03:27
“Në këtë momentë nuk kam informacion për ligj të ri që është përgaditur. Në të ardhmen deri sa të vjen tek un, do ta shoh dhe gjithsesi do të kem qasje në të dhe do të kemi qendrim si parti që jemi pjesë e qeverisë”
Ndërkaq, pas shfuqizimit të balansuesit, pati reagime të shumta, ku më të theksuara ishin ata të BDI-së dhe ASH-së së Ziadin Selës, e këtyre të fundit ju ka përgjigjur sot partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE, të cilët thonë se derisa ishte në pushtet BDI-ja jo vetëm që nuk kundërshtoi, por mbështeti shfuqizimin e balancuesit, përmes strategjisë për reformën në administrate. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski, akuzon BDI-në se e keqpërdor temën e balansuesit për të shkaktuar destabilzimin, për ti mbrojtur ish zyrtarët e saj, të përfshirë në siç thotë, tenderë të dyshimtë miliona eurosh.
BRANE PETRUSHEVSKI, DEPUTET I VMRO-DPMNE
“BDI-ja, si pushtet në vitin 2023 miratoi strategji për reforma në administratë për periudhën 2023-2030 ku theksohet se balancuesi keqpërdoret dhe se duhet të shfuqizohet. Bëhet fjalë për periudhën kur ministrat e tyre në qeveri luanin futboll në kabinetet ministrore, kurdisnin tenderë dhe ndanin biznese në katër sy. Në atë kohë jo vetëm që nuk e patën problem heqjen e balancuesit, por edhe vetë e mbështetën shfuqizimin e tij. Çfarë ka ndryshuar tani? Është e thjeshtë. BDI-ja nuk është në pushtet, ministrat e tyre nuk kurdisin tenderë dhe nuk bëjnë marrëveshje të dyshimta prandaj tani kërkojnë alibi për destabilizim me të vetmin qëllim që ministrat e tyre të cilët janë të përfshirë në tenderë të dyshimtë miliona eurosh të mos mbajnë përgjegjësi”.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuse më datë 9 tetor solli vendim për shfuqizim të makanizmit Balansues, gjë që shkaktoi reagime të shumta në opinion, e sidomos të partive opozitare shqiptare.
Samir Mustafa /SHENJA/