(VIDEO) Euroambasadori Rokas: Me planin për rritje do të përshpejtohet procesi i inkuadrimit
“Unë shoh një përkushtim të fortë të Qeverisë për të punuar dhe ndjekur rekomandimet e Bashkimit Europian, pavarësisht nëse janë nga Misioni vlerësues, nëse janë nga Raporti për progresin e vendit, apo konkretisht për sundimin e ligjit”. Kështu tha euroambasadori, Mihalis Rokas në një intervistë për MIA-n.
Sipas tij, tashmë prioritet duhet të jetë ligji për Këshillin Gjyqësor, i cili, siç thekson, është një reformë shumë e rëndësishme për mënyrën se si është formuar, si zgjidhen dhe shkarkohen gjykatësit.
MIHALIS ROKAS, AMBASADOR I BE-SË
“Pra, ka shumë element, puna është e madhe dhe ka ecur relativisht shpejt, kjo është fusha kyçe për gjithçka, lufta kundër korrupsionit, tërheqja e investimeve, besimi i qytetarëve në sistemin gjyqësor. Unë shoh që ka një përkushtim të drejtë edhe nga BE-ja dhe ka shumë mbështetje për projektet aktuale apo projektet që do të përshtaten sipas legjislacionit të ri, të cilin presim që Qeveria ta miratojë në muajt në vijim”.
Duke folur për Plani për rritjen e Ballkanit Perëndimor, ambasadori tha se ai është një projekt solid dhe i fuqishëm dhe është i bindur se kësti i parë për vendin do të arrijë para fundit të vitit
MIHALIS ROKAS, AMBASADOR I BE-SË
“Besoj se agjenda e reformave, Plani i Rritjes, është një mundësi unike për vendet e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm sepse i lejon ata të integrohen gradualisht në BE dhe në tregun e brendshëm, por gjithashtu tregon përkushtimin ndaj zgjerimit si dhe për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit, por edhe se duhet prosperitet, sepse një pjesë e madhe e prosperitetit në BE bazohet në tregun e brendshëm, suksesin e rregullave të BE-së”.
Ai beson se vendet e Ballkanit Perëndimor do të punojnë me përshpejtim në krijimin e tregut të tyre rajonal, i cili do t’i lehtësojë dukshëm gjërat.
Agjendat e reformave të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës u miratuan të premten sipas Instrumentit të ri të Reformës dhe Rritjes prej 6 miliardë eurosh, i njohur si Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor
Maqedonia e Veriut duhet të marrë 750,4 milionë euro për periudhën 2024-2027. Pagesa e parë do të jetë 52.5 milionë.
/SHENJA/