Vazhdojnë sul’met izraelite në Gaza, vr’iten katër palestinezë, mes tyre tre fëmijë
Të paktën katër palestinezë, duke përfshirë tre fëmijë, u vranë në një sulm ajror izraelit që synonte një shtëpi në pjesën jugperëndimore të qytetit të Gazës, raporton Anadolu.
Burimet mjekësore, në kushte anonimiteti, për Anadolu thanë se shtëpia i përkiste familjes al-Daya.
Më parë, një grua palestineze u vra dhe 15 të tjerë u plagosën pasi ushtria izraelite shënjestroi dy shkolla që strehonin personat e zhvendosur në kampin e refugjatëve Jabalia, në pjesën veriore të Gazës, zonë që mbeti e rrethuar nga një operacion i vazhdueshëm ushtarak izraelit për gjashtë ditë rresht.
Spitali Al-Awda në Gazën veriore lëshoi një deklaratë më herët duke konfirmuar vdekjen e një gruaje palestineze dhe plagosjen e katër të tjerëve për shkak të sulmeve izraelite në shkollën Hafsa, e cila shërben si strehë për civilët e zhvendosur.
Në një incident të veçantë, Mbrojtja Civile e Gazës raportoi se dhjetëra palestinezë u plagosën nga dronët izraelitë në shkollën Al-Fawqa, një tjetër strehë për familjet e zhvendosura në kampin e refugjatëve Jabalia.
Mbrojtja Civile shtoi se ekipet e shpëtimit janë ende duke punuar për evakuimin e të plagosurve pas sulmeve izraelite.
Të hënën, ushtria izraelite paralajmëroi palestinezët që të evakuojnë shtëpitë e tyre në Jabalia, Beit Hanoun dhe Beit Lahia dhe të lëvizin në jug, ndërsa Ministria e Brendshme e Gazës paralajmëruan qytetarët që të mos respektojnë këto urdhra, duke i quajtur ato “mashtrim dhe gënjeshtra”.
Izraeli ka vazhduar një ofensivë brutale në Gaza pas një inkursioni ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Më shumë se 42.100 njerëz janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 98,100 janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Sulmi izraelit ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e Rripit të Gazës mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza.