Gjykata e Bosnjës pezullon modulin shkollor që paraqet si heronj të dënuarit për krime lufte

Gjykata e Bosnjës pezullon modulin shkollor që paraqet si heronj të dënuarit për krime lufte

Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës e ka pezulluar të premten një pjesë të kurrikulës së arsimit fillor në entitetin serb të Bosnjës, Republika Sërpska, e cila paraqet si heronj të dënuarit serbë për krime lufte gjatë luftës së viteve 1992/1995.

Ministria e Arsimit e Republikës Sërpska e solli një modul rreth luftës në Bosnjë dhe shkaktarët e saj nga këndvështrimi serb për nxënësit e klasës së nëntë.

Sipas këtij moduli, ish-lideri politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq – portretizohen si figura historike që mundësuan krijimin e Republikës Sërpska.

Karaxhiq dhe Mlladiq janë dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte dhe gjenocid nga Gjykata Penale Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Lufta shkatërruese në Bosnje, gjatë të cilës u vranë mbi 100.000 njerëz dhe rreth dy milionë të tjerë u zhvendosën, përfundoi pas një marrëveshje për paqe të sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara, e njohur si Marrëveshja e Dejtonit.

Me Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, Bosnja është ndarë në dy entitete autonome – Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Sërpska – plus Qarku i Bërçkos, që është njësi administrative vetëqeverisëse. Të gjithë bashkë janë nën ombrellën e qeverisë federale dhe presidencës me rotacion.

Në një seancë të premten, gjykata vendosi ta pezullojë me efekt të menjëhershëm pjesën e kurrikulës që merret me luftën dhe krijimin e entitetit serb, pas kërkesës së 13 anëtarëve të Parlamentit të Bosnje e Hercegovinës.

Duke e shpjeguar pezullimin e përkohshëm deri në marrjen e një vendimi final, gjykata tha se zbatimi i atij moduli të kurrikulës rrezikon shkaktimin e përçarjeve dhe ndarjeve shtesë në mesin e nxënësve të etnive të ndryshme.

Në praktikë, gjykata shumetnike ka pushtet të kufizuar për ta bërë të detyrueshëm zbatimin e vendimeve të saj.

Republika Sërpska i ka tërhequr gjykatësit serbë në shenjë proteste kundër pranisë së vazhdueshme të gjykatësve të huaj që shërbejnë në bazë të marrëveshjes për paqe.

Liderët serbë thonë se nuk e respektojnë vendimet e gjykatës dhe i kanë shpërfillur ato në të kaluarën.

Lideri i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili është i sanksionuar nga Britania dhe Shtetet e Bashkuara për shkeljen e provizioneve të Marrëveshjes së Dejtonit, ka bërë thirrje vazhdimisht për ndarjen e entitetit serb nga Bosnja dhe bashkimin e tij me Serbinë./REL

MARKETING