(VIDEO) Dimitreska Koçovska: Politika e vendosjes së marzhave të çmimeve nuk po jep rezultate
Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska ka deklaruar se është kundër ngrirjes së marzhave tregtare dhe sipas saj një masë e tillë nuk sjell asnjë rezultat. Ajo ka shtuar se këto janë metodologji komplekse përllogaritjeje, ndërsa nuk ka kapacitet të mjaftueshëm në institucionet shtetërore që të mund të llogarisin saktë dhe të konfirmojnë se është kështu.
GORDANA DIMITRIESKA KOÇOSKA, MINISTRE E FINANCAVE
“Pavarësisht kësaj, unë ia kam shprehur mendimin tim qeverisë, por qëndrimi i Qeverisë është ai që është vendim i përbashkët dhe qëndrimi i Qeverisë ka qenë se ngrirja e marzhave tregtare do të vazhdojë dhe në periudhën në vijim pres që të ketë ndryshime në këtë pjesë dhe të mos vazhdohet në të njëjtën mënyrë, sepse mendoj se efektet nuk do të jenë aq të mëdha sa pritej, sidomos në kushtet kur kemi inflacion të ulët”.
Qeveria detyroi tregtarët për produktet që përfshihen në shportën e vjeshtës, që vendosen në rafte, frigoriferë dhe pajisje ftohëse që t’i shënojnë qartë me mbishkrimin “Më pak shpenzime, më shumë për ty”, e cila është publikuar në faqen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës.
Gjithashtu, shitësit me shumicë dhe pakicë do të kenë detyrim të blejnë dhe shesin në sasi mujore të paktën 70% të sasive të blera në muajin gusht 2024 të këtyre produkteve të listuara. Ky vendim do të zbatohet deri më 31 tetor të këtij viti.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/