Të paktën 19 të vra’rë gjatë një sul’mi izraelit në një xhami në Gazë
Të paktën 19 persona janë vrarë pasi mëngjesin e së dielës një sulm ajror izraelit goditi një xhami në Rripin e Gazës, thanë zyrtarët palestinezë, teksa Izraeli ka intensifikuar bombardimet në veri të Gazës dhe në jug të Bejrutit në Liban.
Sulmi në Gazë mëngjesin e 6 tetorit goditi një xhami ku po strehoheshin personat e zhvendosur. Xhamia gjendet afër spitalit kryesor në Deir al-Balah. Izraeli tha se ka shënjestruar një qendër komande dhe kontrolli të Hamasit, por nuk dha dëshmi për këtë pretendim.
Ushtria izraelite po ashtu njoftoi për një ofensivë të re tokësore dhe ajrore në Xhabalia, në veri të Gazës, ku gjenden kampe të mbipopulluara të refugjatëve, të cilat janë krijuar që nga lufta e vitit 1948, rreth kohës të krijimit të Izraelit.
Ushtria tha se forcat izraelite kanë rrethuar Xhabalian, teksa avionët luftarakë po godasin caqet e Hamasit, para se trupat të avancojnë. Që kur ka nisur lufta në Gazë, Izraeli ka kryer disa operacione të mëdha në Xhabalia.
Izraeli po ashtu ka lëshuar urdhra të rinj për evakuim në veri të Gazës, që kryesisht është zonë e pabanuar, pasi në javët e para të luftës Izraeli kishte urdhëruar të gjithë popullsinë të zhvendosej në jug. Deri në 30.000 persona vlerësohet se vazhdojnë të jenë në veri të Gazës.