Takim Gashi- Kurtulmuş: Shpresojmë të rrisim marrëdhëniet Maqedoni e Veriut- Turqi në çdo fushë
Kryetari i Asamblesë së Madhe Popullore të Türkiyes, Numan Kurtulmuş, ka pritur në një takim kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, raporton Anadolu.
Pritja u realizua në ambientet e parlamentit turk, ku pas takimit kokë më kokë dhe atij midis delegacioneve, dy kryeparlamentarët mbajtën një konferencë të përbashkët për media.
Në fjalën e tij, Kurtulmuş shprehu kënaqësi për takimin zyrtar, duke e quajtur atë produktiv.
Duke folur për rëndësinë e vizitës së Gashit në Türkiye, ai shprehu shpresën e tij që në të ardhmen marrëdhëniet mes dy vendeve të vazhdojnë të zhvillohen tutje.
Duke tërhequr vëmendjen për ngjashmëritë historike dhe kulturore dhe bashkëpunimin mes Türkiyes dhe Maqedonisë, Kurtulmuş theksoi se prania e qytetarëve me origjinë nga Maqedonia e Veriut në Türkiye dhe e qytetarëve me origjinë turke në Maqedoninë e Veriut është një urë solide që do të rrisë bashkëpunimin e fortë mes dy vendeve.
Kryeparlamentari Kurtulmuş tha gjithashtu se Türkiye dhe Maqedonia e Veriut kanë disa pikëpamje të përbashkëta për çështjet rajonale dhe globale.
Ai theksoi se periudha e ardhshme do të shënojë fillimin e një epoke të re në politikën botërore dhe se shohin konflikte dhe tensione që vazhdojnë në shumë rajone të botës në çdo fushë.
“Sidomos ne shohim se ka tensione të theksuara pothuajse në të gjitha rajonet përreth Türkiyes dhe fatkeqësisht ka konflikte dhe disa sulme në jugun tonë, ashtu si në Lindjen e Mesme. Në këtë kontekst, veçanërisht në rajonin e Ballkanit, i cili ka një strukturë multikulturore, multietnike, multifetare, rritja e solidaritetit dhe bashkëpunimit midis kombeve dhe sigurimi i stabilitetit dhe paqes janë fokusi kryesor i marrëdhënieve tona me vendet këtij rajoni”, tha Kurtulmuş.
“Shpresoj që Maqedonia e Veriut, një vend i rëndësishëm me karakteristikat që përmenda, do të jetë në gjendje të bëhet një ishull stabiliteti në Ballkan duke ruajtur strukturën e saj multikulturore. Si Türkiye dhe Maqedoni e Veriut, ne shpresojmë të rrisim marrëdhëniet tona ekzistuese në çdo fushë dhe t’i ngremë në nivelin e partnerëve strategjikë në periudhën e ardhshme. Shpresoj të kemi mundësinë të mblidhemi gjithmonë me një agjendë pozitive në këtë gjeografi ku ndodhin kaq shumë probleme, tensione dhe konflikte”, shto ai.
– Gashi: Türkiye është mbështetës i madh i Maqedonisë së Veriut
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi shprehu kënaqësinë e tij që vizitoi Asamblenë e Madhe Kombëtare të Türkiyes dhe falënderoi homologun Kurtulmuş për pritjen e tij dhe të delegacionit të tij.
Duke theksuar se Türkiye është një mik i madh për Maqedoninë e Veriut, Gashi tha se marrëdhëniet dypalëshe me Türkiyen janë në nivel të lartë dhe se janë të kënaqur që marrëdhëniet mes dy parlamenteve vazhdojnë në platforma të ndryshme.
“Republika e Türkiyes është mbështetës i madh i yni, mik i madh, me të cilën gjithmonë kemi pasur, dhe shpresoj ta kemi edhe në të ardhmen, një bashkëpunim të shkëlqyer”, tha Gashi.
“Edhe pse nuk jemi fqinj drejtpërsëdrejti, ne në Maqedoninë e Veriut…shpesh themi se Türkiye është një ndër fqinjët tanë më të vlefshëm dhe më të mirë”, shtoi ai.
Ai shprehu dëshirën për rritjen e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, kulturës dhe arsimit dhe që bashkëpunimin në këto fusha ta zgjerojnë në të gjitha fushat.
Gashi vuri në dukje rëndësinë e vizitave dhe ftoi kryeparlamentarin turk Kurtulmuş të vizitojë në Maqedoninë e Veriut.
Pas konferencës së përbashkët për shtyp, Kurtulmuş së bashku me Gashin vendosën lule në zonën e bombarduar gjatë tentativës për grusht shteti nga organizata terroriste FETO më 15 korrik të vitit 2016.
Dy kryeparlamentarët më vonë vizituan sallën e seancave plenare të parlamentit turk që po vazhdonte punimet, ku përshëndetën deputetët.