(VIDEO) Ministri i Administratës ndalon punësimet me “balancues”
Ministria e Administratës Publike ka dhënë udhëzime për veprimet e institucioneve nga sektori publik pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ngrirjen e mjetit “balancues” gjatë punësimit në administratën publike. Nga aty theksojnë se procedura e nisur tashmë për punësim në institucionet e sektorit publik ndërpritet, nëse ndërkohë ka nisur ndonjë procedurë.
MINISTRIA E ADMINISTRATËS PUBLIKE
“Në lidhje me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut U.Nr. 90/24, të datës 18 shtator 2024, Ministria e Administratës Publike dha udhëzime për veprimet e institucioneve të sektorit publik, të parashikuara në pikën 1 të këtij Vendimi. Procedura e nisur tashmë për punësim në institucionet e sektorit publik vazhdon, nëse shpallja publike për punësim në një institucion të sektorit publik nuk është përgatitur në përputhje me aktet, përkatësisht dispozitat e parashikuara në pikën 1 nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese (në të ashtuquajturën shpallje publike nuk theksohet përkatësia e një komuniteti dhe as kandidati nuk detyrohet në aplikimin ta theksojnë përkatësinë e komunitetit)”.
E kjo, ka ngjallur shumë reagime në opinion, ku më të zëshëm janë ish deputet dhe eksponentë të BDI-së. Ish deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Arta Bilalli Zendeli , vendimin e ka cilësuar si anti-shqiptar.
ARTA BILALLI-ZENDELI,ISH DEPUTETE E BDI-SË
“Ministri i administratës publike në Qeverinë VMRO-sVLEN-ZNAM udhëzon institucionet publike t’i ndërpresin të gjitha konkurset që janë përgatitur e shpallur në pajtim me balanserin si mekanizëm për përfaqësim të drejtë dhe adekuat; Duke e marrë parasysh se falë atij parimi, shqiptarët e morën vendin e merituar në institucione duke arritur përqindje prej mbi 20%, ky Udhëzim është thjeshtë anti-shqiptar”.
Ndërkaq, ish ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, këtë e ka quajtu Skandal.
Kujtojmë se gjykatësit kushtetues në seancën e mbajtur më 18 shtator vendosën të hapin një çështje për përdorimin e “balancuesit” gjatë punësimit në administratë publike. Ndërkohë, derisa të vendosin nëse është kushtetuese apo jo, “balancuesi” do të jetë i “ngrirë” , ndërsa Komisioni anti-korrupsion në seancën e mbajtur më 11 janar të këtij viti vendosi të paraqesë një iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e mjetit “balancues”, pasi vlerësojnë se me këtë bëhen abuzime gjatë punësimit.
Samir Mustafa /SHENJA/