(VIDEO) Ngrirja e Balancuesit, BDI akuzon VLEN-in, Taravari: Vendim i nxituar!

(VIDEO) Ngrirja e Balancuesit, BDI akuzon VLEN-in, Taravari: Vendim i nxituar!

BDI përmes një komunikate ka reaguar sërish rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të ngrirë mekanizmin për barazi në punësime “balancuesit”. Nga BDI thonë se “VLEN po i mbyll sytë dhe po e lejon rrënimin e të arriturave më të rëndësishme të shqiptarëve për dy dekada me radhë”.

BDI

“Vlerësojmë se ky vendim shkel drejtpërdrejt dispozitat kyçe të Kushtetutës sonë dhe rrezikon themelet e shoqërisë sonë shumetnike të ndërtuar me shumë vështirësi. Ky vendim cënon përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore, respektivisht s’ka më punësime për shqiptarët”.

BDI apelon për rishqyrtim urgjent të këtij vendimi, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të rendit kushtetues dhe të sigurohet që parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të mbetet efektiv dhe i zbatueshëm në praktikë.

Ndërsa Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për “balancuesin” është i nxituar, por është vendim i Gjykatës Kushtetuese, edhe pse siç thotë ai, “nuk na duhen situata të tilla të tensionuara”.

ARBEN TARAVARI

“Nuk pajtohem me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por kjo nuk varet nga ne, por nga gjykatësit që çdo herë kanë shkuar me lejen e partive të regjimit të kaluar. Këto janë gjykatësit, ky është vendimi. Unë nuk pajtohem sepse për momentin në Maqedoni nuk na duhen acarime të situatës ndër etnike, na duhet qetësi ndër etnike, por vendimi ky është. Dikush e inicion dhe dikush i mëson këto gjykatës tash veproni se tash na duhet”.

Ndërkaq, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, pjesë e koalicionit qeverisës “VLEN”, duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për “balancuesin”, në një intervistë për TV 21 tha  se ky mekanizëm është zhvlerësuar, ndërsa koha e tij ka mbaruar dhe se  shqiptarët nuk humbasin asgjë me heqjen e këtij mekanizmi. Ai shton se gjatë formimit të qeverisë së re, marrëveshja politike mes “VLENIT” dhe partnerëve nga VMRO-DPMNE ka qenë që “balancuesi” të avancohet në ligj për përfaqësim adekuat të komuniteteve pakicë.

Gjykata Kushtetuese me 18 shtator 2024 vendosi të nisë procedurë për hapjen e lëndës pas nismës së  KSHPK-së që konteston dispozitat që kanë të bëjnë me përfaqësimin e drejtë etnik në institucione, i njohur ndryshe si “balancuesi”.

/SHENJA/

 

MARKETING