(VIDEO) Prokuroria Publike formoi departament për krime serioze dhe komplekse

(VIDEO) Prokuroria Publike formoi departament për krime serioze dhe komplekse

Në Prokurorinë Publike të Shkupit është formuar departament për krime serioze dhe komplekse. Siç njoftojnë nga PTHP, ky departament do të merret me çështjet penale për të cilat është paraparë dënim me burgim të përjetshëm me një numër më të madh të të akuzuarve dhe vëllimin e provave, rastet në të cilat kryhen hetime financiare, çështjet komplekse me një numër më të madh krimesh.

Departamenti i themeluar në përputhje me nenin 15 dhe nenin 25 të Ligjit për prokurorinë publike do të trajtohet nga prokurori publik në Prokurorinë Publike të Shkupit, Vladimir Millosheski dhe shtatë prokurorë të tjerë publikë nga Prokuroria e Shkupit me përvojë shumëvjeçare në veprimin kundër veprave të tilla penale. Nevoja për ndryshim organizativ në punën e Prokurorisë Themelore Publike Shkup dhe themelimi i departamentit të ri u imponua për shkak të kushteve të konstatuara dhe fluksit të lëndëve gjatë vitit 2024, të cilat përfshijnë forma të rënda dhe komplekse të krimit të shprehur përmes disa treguesve.

“Ndryshimet në Kodin Penal, veçanërisht në lidhje me veprën penale – Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353, ka shkaktuar ndryshime në kompetencën faktike të Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, për çka një pjesë e madhe e lëndëve i dërgohen kompetencës aktuale dhe lokale të PTHP Shkup”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Nga Prokuroria sqarojnë se po ashtu është marrë parasysh ndryshimi i nenit 98-a për konfiskim të zgjatur në të njëjtin ligj, i cili kërkon një mjedis të ndryshëm brenda-institucionit dhe angazhim të shtuar të prokurorëve publikë tashmë në procedurën parahetuese, për hir të hetimeve financiare.

Nga PTHP sqarojnë se gjatë funksionimit aktual të subjektit dhe monitorimit të situatës në aspektin e kriminalitetit, janë konstatuar forma të kriminalitetit të rëndë dhe kompleks, që kanë të bëjnë kryesisht me krimet kundër jetës dhe trupit, krimet kundër shëndetit të njerëzve, krime kundër detyrës zyrtare dhe krime kundër financave publike në territorin që është nën juridiksionin e PTHP Shkup.

“Duke pasur parasysh se autorët gjithnjë e më shumë po përdorin mekanizma të ndryshëm për të fshehur si veprimet penalo-juridike ashtu edhe përfitimet pasurore të drejtpërdrejta dhe indirekte nga sjellja kriminale, kjo e ndërlikon veprimtarinë kërkimore dhe kërkon njohuri shtesë dhe përkushtim të veçantë të prokurorit publik për hulumtimin dhe ndjekjen penale të këtyre formave të krimit”, thuhet nga Prokuroria Themelore Publike.

Sipas prokurorisë, departamenti me kapacitete cilësore dhe sasiore për ndjekjen penale të krimeve të rënda dhe komplekse duhet t’i japë një stimul adekuat policisë gjyqësore në funksionin e saj hetimor, si dhe kapaciteteve të veta hetimore në qendrën hetimore, nëpërmjet drejtimit efektiv të veprimeve dhe masave në procedurën parahetimore.

Qëllimi përfundimtar i departamentit të sapoformuar është mbrojtja adekuate penalo-juridike e qytetarëve dhe reagimi institucional efikas ndaj formave komplekse të veprave penale.

Kujtojmë se shumë raste gjyqësore të korrupsionit të lartë  janë ndërprerë për shkak të vjetërsimit të lëndës.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING