Presidentja Siljanovks në Bullgari: Të fokusohemi në të tashmen, jo në të kaluarën
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, qëndron për vizitë zyrtare në Sofje, ku është takuar me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, pas çka është mbajtur takimi i dy delegacioneve, raporton Anadolu.
Në delegacionin maqedonas, siç njoftojnë nga Kabineti i Presidentit, përveç presidentes Siljanovska Davkova, ishin edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski dhe ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov.
“Në takimin me presidentin bullgar u bisedua për nevojën e zhvillimit të thelluar të marrëdhënieve maqedono-bullgare, tejkalimin e çështjeve të hapura ndërmjet dy vendeve, rrjedhën e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe shfrytëzimin e përvojave bullgare në këtë aspekt, si dhe mundësitë për të nxitur dhe promovuar bashkëpunimin dypalësh në më shumë fusha”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, presidentja Siljanovska Davkova theksoi se nevojitet dialog dhe bisedë e vazhdueshme ndërmjet dy vendeve fqinje dhe anëtare të NATO-s, si dhe shembuj pozitivë nga të dyja palët për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme të fqinjësisë së mirë.
“Në këtë kontekst, ajo theksoi rëndësinë e diplomacisë kulturore dhe publike, si dhe nevojën për të nxitur bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës, ekonomisë dhe tregtisë dhe fokusimin në sfidat e së tashmes, në vend që fokusi të jetë në të kaluarën”, thuhet në njoftim.
Në takim u shkëmbyen mendime për zhvillimin e marrëdhënieve maqedono-bullgare përmes prizmit të sfidave rajonale dhe globale, të cilat kërkojnë qasje të përbashkët dhe të harmonizuar.