Kosova nis ndërtimin e një nënstacioni policor në Leposaviq

Kosova nis ndërtimin e një nënstacioni policor në Leposaviq

Autoritetet e Kosovës kanë vënë gurthemelimin për ndërtimin e një objekti të ri në Leshak të Leposaviqit, ku do të vendoset një nënstacion policor dhe një degë e Agjencisë të Regjistrimit Civil (ARC). Nisja e ndërtimit të këtij nënstacioni të Policisë së Kosovës është kritikuar nga zyrtarët në Beograd.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, morën pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit më 10 shtator. Kurti, sipas një njoftimi për media të lëshuar nga zyra e tij, tha se Qeveria që ai udhëheq është e interesuar që shërbimet publike të jenë “sa më cilësore dhe sa më afër qytetarëve, pa dallim”.

“Objekti i ri do të ofrojë kushte të mira të punës për punonjësit publikë të ARC-së dhe zyrtarëve policorë të cilët do të jenë në nivel më të lartë të detyrës dhe përgjegjësive për të shërbyer të gjithë qytetarët”, u tha në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Por, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, e akuzoi Kurtin se me ndërtimin e këtij nënstacioni policor po vazhdon me politikën e tij “të okupimit policor ” të veriut të Kosovës.

Sipas tij, kjo gjë paraqet “kërcënim të drejtpërdrejtë, frikësim dhe provokim ndaj serbëve” në Kosovë. Ai tha se qëllimi i Kurtit është që të “dëbojë” serbët nga veriu i Kosovës.

Së fundi, Qeveria e Kosovës ka shpronësuar disa prona në veri të Kosovës, që janë shpallur si prona me interes të veçantë publik, përfshirë edhe në Leshak, ku më 10 shtator u vendos gurthemeli për ndërtimin e nënstacionit policor.

Njoftimi për nisjen e ndërtimit të nënstacionit policor në Leshak, vjen në kohën kur Qeveria e Kosovës është përballur me kritika nga bashkësia ndërkombëtare, për shkak të disa veprimeve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Në fund të gushtit, autoritetet mbyllën pesë institucione paralele serbe, që thanë se po funksionin sipas sistemit të Serbisë.

Bashkësia ndërkombëtare e ka kritikuar Qeverinë e Kurtit, për, siç ka thënë, veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara në veri.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 10 shtator se shteti i tij “nuk do të lejojë persekutimin e popullsisë serbe, dhe është e qartë që ky është synimi i vetëm i Qeverisë së Kurtit”.

Pas një takimi me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, udhëheqësi serb paralajmëroi se në 72 orët e ardhshme do t’i adresohet publikut për “ato që bashkësia ndërkombëtare nuk i ka përmbushur, për ato që Serbia kërkon, dhe synon të bëjë”.

Nga Qeveria e Kosovës kanë përsëritur vazhdimisht se janë të vendosur për sundim të ligjit dhe rendit publik dhe për sigurimin e paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim. /REL/

MARKETING