Largimi i bllokadave nga pikat kufitare në veri, dështim i përpjekjeve destabilizuese të Serbisë

Largimi i bllokadave nga pikat kufitare në veri, dështim i përpjekjeve destabilizuese të Serbisë

Pas largimit të bllokadave në veri të Kosovës, të gjitha pikëkalimet kufitare me Serbinë janë rihapur të shtunën pasdite. Kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Rihapja e tyre vjen pasi shoqatat serbe i hoqën të gjitha bllokadat që i kishin vendosur të premten pasdite për të protestuar kundër mbylljes së institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës, i cili është i banuar me shumicë serbe.

Sipas ministrit Sveçla, ky zhvillim dëshmon dështimin e përpjekjeve të Serbisë për destabilizim në Kosovë dhe rajon.

“Serbia është në panik, dhe përpjekjet e saj për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit po dështojnë,” tha Sveçla, duke theksuar përkushtimin e institucioneve kosovare për të mbrojtur sovranitetin.

Presidentja Vjosa Osmani gjithashtu komentoi situatën, duke thënë se strukturat ilegale në veri po pengojnë integrimin e komunitetit serb.

“Bllokadat në kufi tregojnë lidhjen e drejtpërdrejtë midis Serbisë dhe bandave kriminale që veprojnë në veri,” deklaroi Osmani, duke nënvizuar rëndësinë e luftës kundër këtyre strukturave për stabilitetin e vendit.

Osmani u bëri thirrje aleatëve që të dalin me qëndrim publik lidhur me këto shkelje të vazhdueshme nga ana e Serbisë siç thotë ajo, të cilat po shkelin të drejtat e qytetarëve.

Ndërkohë, analistët politikë paralajmërojnë se veprimet e fundit të Serbisë janë pjesë e një strategjie më të gjerë për destabilizimin e Ballkanit.

Sipas tyre, Serbia po përdor tensionet në Kosovë si një mjet për të zgjeruar ndikimin e saj në rajon.

“Këto veprime janë të rrezikshme dhe mund të nxisin përplasje më të gjera në Ballkan,” theksuan analistët, duke paralajmëruar për potencialin e një përshkallëzimi të situatës nëse nuk ndërmerren hapa diplomatikë për uljen e tensioneve.

Serbët i bllokuan të premten rrugët dhe i kthyen mbrapsht vetëm udhëtarët me dokumente të Kosovës në pjesën serbe pranë tri pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në shenjë proteste kundër veprimeve të fundit të autoriteteve të Kosovës.

Organizatorët e bllokadave duan që Kosova ta tërheqë policinë nga komunat me shumicë serbe në veri, ta lejojë përdorimin e valutës së dinarit serb, i cili u ndalua në fillim të këtij viti, si dhe ta lejojë punën e komunave paralele serbe.

Megjithatë, institucionet kosovare kanë theksuar se janë të përkushtuara për të ruajtur rendin dhe stabilitetin në vend, pavarësisht provokimeve. /Telegrafi/

MARKETING