(VIDEO) Filipçe: VMRO-DPMNE e Mickoskit është kopje e zbehtë e Gruevskit
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në një intervistë për Press 24, ka kritikuar ashpër kryesinë aktuale të VMRO-DPMNE-së, duke e cilësuar si “kopje e zbehtë” të partisë nga koha e Nikolla Gruevskit. Sipas tij, dallimi kryesor ndërmjet lidershipit aktual dhe atij të kaluar është vetëm në emrin e presidentit, ndërsa gjithçka tjetër është e pandryshuar.
“Po bëhet më e qartë se në VMRO-DPMNE ndryshimi i vetëm është që tani kryeministër nuk është Gruevski por Mickoski. Gjithçka tjetër është pasqyruar si në fotokopje. Kemi marrë një kopje të zbehtë të VMRO-DPMNE-së të dhjetë viteve më parë, me kuadro shumë më pak të aftë”, deklaroi Filipçe.
Ai paralajmëron se ky model i qeverisjes do t’i ndrydhë interesat e qytetarëve në favor të disa njerëzve në krye të VMRO-DPMNE-së.
“Kjo është një qeveri që do të krijojë politika vetëm për vete dhe qytetarë të përshtatshëm për VMRO-DPMNE-në, ndërsa të gjithë të tjerat do të jenë të parëndësishme. Një qeveri që do t’i mbajë qytetarët në frikë të vazhdueshme, me propagandë të përditshme të përçarjeve, armiqve dhe destabilizimit. Skenar i parë tashmë”, tha Filipçe.
Sipas tij, VMRO-DPMNE nuk do të punojë për përmirësimin e standardit të qytetarëve, por vetëm për interesat e individëve dhe grupeve të caktuara që do të kenë detyrë të vetme sigurimin e votave në zgjedhje. Ai shprehu keqardhje për mungesën e ndonjë ndryshimi pozitiv në VMRO-DPMNE.
Merxhane Iseni /SHENJA/