(VIDEO) Mundësia e shfuqizimit të shqipes përplas VLEN-in dhe BDI-në

(VIDEO) Mundësia e shfuqizimit të shqipes përplas VLEN-in dhe BDI-në

Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti alarmon se, keqpërdorimi i gjuhës shqipe për qëllime politike, mund të sjellë në destabilizim të vendin dhe në skenare që nuk janë në interes për qytetarët. Ai beson se iniciativa e aktualizuar në Gjykatën Kushtetuese është bërë me qëllim në këtë periudhë kohore, duke komentuar se këtë e kanë nxjerrë nga sirtari gjykatës të emëruar nga BDI-ja. Ai ka shtuar se, BDI – tashmë në opozitë, duhet t’i sqarojë opinionit se pse ka sjellur një ligj i cili ka probleme me Kushtetutën. Sipas Mexhitit, kjo parti po keqpërdori gjuhën shqipe vetëm për të krijuar destabilizim dhe trazira dhe për ta shpëtuar vetveten nga proceset gjyqësore.

“Krej këtë e flas për ta pasur të qartë situatën opinioni. Kjo nuk është arsyetim , ne po bëjmë përpjekje pa ndëryrë në Gjykatën Kushtetuese, që Gjykata Kushtetuese ta vlerësojë edhe momentin politik, përveç atij juridik, sepse duke u sjellë në mënyrë të papërgjegjshme në kohë të papërshtatshme, mund të krijojnë destabilizim dhe të kontribuojnë në procese që nuk janë në interes të qytetarëve të Maqedonisë. Pra, ne si VLEN jemi pjesë e Qeverisë dhe jemi garant për gjuhën shqipe. Nuk do të lejojmë që dikush të luajë me gjuhën shqipe”, deklaroi Mexhiti.

Nga ana tjetër, Arbër Ademi nga BDI ka reaguar ndaj akuzave të VLEN-it, duke thënë se, mendimi i Komisionit të Venecias nuk mund të jetë arsyetim për shfuqizimin e Ligjit, pasi ky Komision nuk është institucion që punon me ligje të Maqedonisë së Veriut dhe nuk është institucion vendimmarrës!

“Fundja, anëtare e Komisionit të Venecias kur u kontestuan nenet e Ligjit ishte Tanja Karakamisheva, anëtare e Këshillit Ekzekutiv të VMRO-së, partnerit aktual të VLEN-it. Nuk kanë qenë të rastësishme akuzat se BDI po përgatitet për destabilizimin e shtetit. Të nderuar, destabilizimin e keni paralajmëruar sa për të mjegulluar opinionin sepse e keni ditur se pas Balancuesit, VMRO do të prek edhe gjuhën shqipe, mbase keni përgatitur edhe ndonjë goditje tjetër përfundimtare për vetë Marrëveshjen e Ohrit në tërësi. Vet paralajmëruat destabilizim, vet po e destabilizoni situatën”, deklaroi Ademi.

Iniciativa për vlerësimin e kushtetueshmërisë së ligjit për përdorimin e gjuhëve është dorëzuar në vitin 2019, ndërsa kushtetuesja do të debatojë për të në muajin tetor të këtëj vitit, me arsyetimin se më herët nuk ka pasur hapësirë ta vendosë në rend dite.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING