(VIDEO) Interpelanca e Gashit, LSDM e mbështet, për VMRO-në është marrëzi

(VIDEO) Interpelanca e Gashit, LSDM e mbështet, për VMRO-në është marrëzi

Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut nesër do të diksutojnë për interpelancën ndaj kryeparlamentarit Afrim Gashi, e cila është pika e parë e seancës parlamentare të së martës. Partitë e pushtetit thonë se, nuk ka bazë për interpelancë dhe se, nuk janë bërë shkeljet e vendosura në arsyetimin për atë. Madje, kryeministri Hristijan Mickoski e ka quajtur atë marrëzi, duke paralajmëruar se koalicioni që ai udhëheq, nuk do ta mbështesë.

Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së

“Kjo është papjekuri, do të thosha marrëzi e koalicionit LSDM, BDI dhe “E Majta” dhe se absolutisht nuk ka bazë për interpelancë ndaj kryeparlamentarit Gashi dhe ne nuk do ta mbështesim një iniciativë të tillë dhe kemi një sërë argumentesh pse nuk duhet ta bëjmë atë”.

LSDM pas koordinimit politik që ka mbajtur, ka dalë me qëndrim ku ka njoftuar se do të votojnë për interpelancën ndaj Gashit. Ata thonë se, Gashi për dy muaj është përfshirë në disa skandale dhe për këtë arsye duhet të ketë përgjegjësi.

LSDM

“Deputetët e LSDM-së dhe koalicionit do të votojnë për interpelancën e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi. Për vetëm dy muaj kanë ndodhur një sërë skandalesh e pushtetit të udhëhequr nga VMRO – DPMNE, ndërsa përgjegjësi nuk ka për askënd. I tillë është rasti edhe me kryetarin e Kuvendit. Kishte incident skandaloz në Aeroportin në Shkup, ku mes tjerash sigurimi i Gashit sulmuan një polic, ka kërcënuar dhe ka shkelur rregullat dhe ligjet”.

Edhe liderët e koalicionit VLEN kanë mbajtur sot një takim në prag të interpelancës. Gashi nëpërmjet një postimi në Facebook, njoftoi se në këtë takim, është biseduar edhe për aktualitetin politik. Ndërkohë, gjatë brifingut të mbajtur me gazetarët javën e kaluar, Gashi komentoi edhe këtë çështje, duke thënë se, ajo nuk qëndron politikisht, megjithatë tha se do ta respektojë vullnetin e shumicës.

Interpelancën ndaj Gashit e ka dorëzuar partia E Majta, me arsyetimin se, gjatë lutjes fetare në seancën për përkujtimin e gjenocidit të Srebrenicës, është shkelur sekularizmi i shtetit. Po ashtu, si arsye është vendosur edhe incidenti me presidenten e Kosovës në Aeroportin e Shkupit.

Teuta Buçi /SHENJA/

 

MARKETING