(VIDEO) Komuna e Tetovës do të ndajë buxhet për ndërtimin e rrugës Tetovë- Prizren

(VIDEO) Komuna e Tetovës do të ndajë buxhet për ndërtimin e rrugës Tetovë- Prizren

Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, gjatë ditës së sotshme ka promovuar një segment tjetër të infrastruktuës rrugore në Tetovë siç është segmenti i rrugës në lagjen Kolltuk, që lidh fshatrat e Malësisë Sellcë, Vicë dhe Llacë. Ndërkaq sa i përket rrugës Tetovë-Prizren, Kasami tha se në bashkëpunim me qeverinë, do të mundohen që këtë rrugë, ta realizojnë përmes tunelit prej 6 kilometrave, ku është edhe opsioni që fshati Vicë të lidhet me segmentin e kësaj rruge përmes një rruge ekzistuese.

Bilal Kasami, kryetar i komunës së Tetovës

“Sa i përket rrugës Tetovë-Prizren, është një ndër opcionet por për shkak të tanimë seriozitetit të projektit që ka të bëjë edhe me tunelin nga Qeveria e Kosovës por tanimë edhe nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, do të analizohen edhe versionet tjera që kanë të bëjnë me tunelin sepse opinioni është i njoftuar që ky ka qenë alternativa nëse nuk realizohet projekti ashtu si ka qenë i paraparë me tunelin që është diku 6 kilometra që është në pjesën tjetër të Malësisë së Tetovës që ndërlidhet me fshatrat Brodec, Veshallë dhe Bozovcë. ”

Kasami theksoi se për një pjesë të kësaj rruge do të ndahet buxhet nga komuna e Tetovës, mirëpo do të ketë edhe bashkëpunim më Ndërrmarrjen Shtetërore, duke thënë që ky buxhet të jetë më serioz.

Ndërkohë, më herët zëvendës-ministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli-Shaqiri ka deklaruar se kanë përshpejtuar procesin për fillimin e realizimit të këtij projekti, procedura e projektit është në fazën e formësimit të grupit punues, që do të përcaktojë rregullat dhe procedurat për zhvillimin e procesit të përzgjedhjes së operatorit ekonomik për përgatitjen e dokumentacionit projektues.

Në anën tjetër, në Kosovë para dy javësh kanë filluar punimet për rrugën Prizren – Tetovë. Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.

Merxhane Iseni/SHENJA/

 

MARKETING