Vizita e Macron në Beograd, siguria dhe dialogu Prishtinë-Beograd tema të diskutimit

Vizita e Macron në Beograd, siguria dhe dialogu Prishtinë-Beograd tema të diskutimit

Presidenti francez Emmanuel Macron do të realizojë një vizitë zyrtare në Serbi më 29 dhe 30 gusht. Vizita e Macron në Beograd do të realizohet më pak se pesë muaj pasi ai priti në Paris homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiç.

Kjo vizitë realizohet saktësisht një javë, pas vizitës së shefit të CIA-së në Serbi, William Burns. Por cili do të jetë motivi i kësaj vizite? A do të jetë dhe kjo vizitë e përmbushur me mesazhe për ruajtjen e sigurisë në Rajonin e Ballkanit? Politologia Magbule Shkodra thotë për A2CNN, se “vizita të jetë vazhdimësi e mesazhit të shefit të CIA-së, për ruajtjen e sigurisë në Ballkan”.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe vazhdimi i tij, është njëra nga temat që pritet të diskutohet gjatë takimi, Macron-Vuçiç. Sipas ekspertes, Macron do të kërkojë nga Vuçiçi zbatimin e marrëveshjeve dhe vazhdimin e dialogut, si dhe arrestimin e Milan Radoiçiç”, shkruan A2.

Çështjet ushtarake do të jenë pjesë e bisedimeve, ka konfirmuar Macron në një konferencë për media më 18 korrik gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që u mbajt në Londër.

Po ashtu një prej temave të takimit do të jetë blerja nga Serbia e avionëve luftarakë francezë, Rafale me vlerë 3 miliard euro. Kjo do të jetë vizita e dytë e presidentit francez në Serbi në pesë vitet e fundit, teksa dy shtetet forcojnë raportet e tyre sidomos në fushën e ekonomisë. /A2CNN/

MARKETING