(VIDEO) Mickoski përsërit skenarin: Po na rrezikojnë ata që u bënë milionerë dhe sunduan vendin në 7 vitet e fundit

(VIDEO) Mickoski përsërit skenarin: Po na rrezikojnë ata që u bënë milionerë dhe sunduan vendin në 7 vitet e fundit

Kryeministri Hristijan Mickoski sot duke folur për çështjen e destabilizimit të supozuar të vendit deklaroi se ata që kanë interes për të lëkundur themelet e shtetit janë më të aftët dhe më të fortët kur ka destabilitet. Ai tha se demokracia nënkupton institucione stabile dhe se ata do të bëjnë gjithçka që t’i mbrojnë institucionet.

“Për destabilizimin, informacioni është ashtu siç është. Të gjithë ata që u bënë milionerë dhe sunduan Maqedoninë në shtatë vitet e fundit, të gjithë ata që vrapuan në rrugë dhe këtu në kryeqytet dhe në mbarë vendin kanë interes ta destabilizojnë atë sepse janë më të aftët dhe më të fortët kur ka destabilitet. Por ne si shtet dhe si qeveri do të luftojmë për shtet stabil dhe institucione stabile, sepse demokracia nënkupton institucione stabile dhe do të bëjmë gjithçka që t’i mbrojmë institucionet”, deklaroi Mickoski.

Mickoski shtoi se ligji duhet të zbatohet kudo dhe për të gjithë. Këtu, siç theksoi ai, ata punojnë së bashku me partnerët e tyre. “Për mua kushdo që punon në drejtim të institucioneve të forta dhe stabile është atdhetar që e do vendin e tij, për mua ai është person të cilin e inkurajoj dhe do ta përkrah gjithmonë”, tha Mickoski.

Nga partitë opozitare BDI-LSDM akuzat për destabilizim nga qeveria vazhdimisht janë quajtur si shpifje dhe tendenca për t’i mbuluar krimet e qeverisë.

Medina Ajeti /SHENJA/

MARKETING