Ekonomia joformale i kushton RMV-së 700 milionë euro në vit
Analizat tregojnë se Maqedonia e Veriut është një ndër shtetet në Evropë me normat më të larta të ekonomisë gri, e cila i kushton arkës së shtetit rreth 700 milionë euro në vit nga tatimet e papaguara. Mbi 80 mijë njerëz punojnë në sektorin joformal, kryesisht në bujqësi, ndërtim dhe tregti, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Mjeshtri dyzet vjeçar Spase T. nga Shkupi ka vite që punon në ndërtim, por në një zonë gri, që do të thotë se për punën e tij ai paguhet me para në dorë dhe kështu i eviton pagesat ndaj shtetit.
Ai nuk ka një kompani në emër të tij, e na tha se arsyeja që punon në këtë mënyrë janë shpenzimet e larta për mirëmbajtje në kushte kur nuk ka të ardhura të qëndrueshme dhe të rregullta.
“Ndonjëherë fitoj me qindra euro në muaj, por ndonjëherë kur nuk ka punë mundohem ta kaloj muajin me paratë që i kam fituar”, tha ai.
Ai na sqaroi se problem për të është kur ndonjëherë pret me muaj të tërë që dikush ta paguajë për punën tashmë të kryer, gjë që ia bën edhe më të vështirë planifikimin e parave për materiale nga njëra anë, por edhe tatimet për shtetin nga ana tjetër.
Sipas hulumtimit të fundit të Institutit Finance Think, Spase është një ndër mijëra punonjës të paregjistruar në vend, ndërsa sektori i ndërtimit merr pjesë me 16 përqind në përqindjen e përgjithshme të ekonomisë informale (ekonomisë gri) të Maqedonisë së Veriut, e cila arrin deri në 700 milionë euro në vit për shkak të të ardhurave fiskale të pambledhura, që është 21,3 përqind në ekonominë e përgjithshme të vendit (PVB).
Edhe pse përqindja e ekonomisë gri në ndërtimtari është e lartë, më shumë se gjysma e punonjësve informalë bëjnë pjesë në sektorin e bujqësisë dhe punonjësit e papaguar të familjes, por analizat tregojnë për një normë të lartë të ekonomisë gri në tregti, hotelieri dhe turizëm.
Sjellja e qytetarëve dhe kompanive është një nga arsyet se pse ekonomia gri mbetet në nivel të lartë me vite të tëra, ndërsa nga ana tjetër një arsye është edhe toleranca e lartë e politikëbërësve që nuk luftojnë kundër ekonomisë gri, thotë për Radion Evropa e Lirë Bllagica Petreski nga Finance Think.
“Të gjithë duhet t’ia bëjnë vetes pyetjen kur në dyqan i thonë “nëse paguan me para në dorë çmimi është për 18 përqind më i ulët”, shumica e qytetarëve nuk e refuzojnë këtë sepse kanë përfitim direkt dhe afatshkurtër, pra kanë paguar një çmim më të ulët. Ose kur nuk marrin faturë fiskale në kafene, e gjithë kjo është e lidhur me moralin tonë fiskal, i cili në shoqëri mbetet relativisht i ulët”, thotë Petreski.
Me mijëra punojnë të paregjistruar
Sipas statistikave përmbledhëse të MAK-STAT numri i punonjësve në ekonominë gri viteve të fundit ka rënë, por numri vazhdon të mbetet i lartë.
Në vitin 2022 informalisht ka punuar 11,8 përqind e popullatës së aftë për punë, që është dy herë më pak krahasuar me 28,6 përqind në vitin 2008.
Por për momentin, në sektorin informal punojnë më shumë se 80 mijë punonjës nëse numërohen 11,8 përqind nga 690 mijë të punësuar zyrtarisht sipas Entit Shtetëror të Statistikave dhe që paguajnë kontribute.
Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), Sllobodan Trendafillov, thotë se ekonomia informale është një “plagë e hapur” jo vetëm për punonjësin në Maqedoni, por edhe për shtetin në përgjithësi, e cila e privon thesarin e shtetit nga qindra milionë si pasojë e kontributeve të papaguara ose të paguara më pak të sigurimeve sociale.
“Për sindikatat nuk është e qartë se për çfarë arsye në 30 vitet e fundit qeveritë në Maqedoni e tolerojnë këtë fenomen. Presim që Qeveria e re t’i qaset seriozisht këtij problemi dhe ta rregullojë pagesën e pagave në zarf, me çka shteti humb të ardhura të mëdha në nivel vjetor, ndërsa në kurriz të tij pasurohen bosët dhe biznesmenët e pasur”, thotë Trendafillov.
Sipas LSM rritja e pagave duhet të jetë një nga mënyrat për ta luftuar punën e padeklaruar apo të nëndeklaruar, si dhe inspektimet e shtuara në aktivitetet ku kjo ndodh më shpesh, në hotelieri dhe turizëm, ndërtimtari, tregti.
Shumë paqartësi për ekonominë informale
Sipas analizave të Institutit Finance Think, problemi është se nuk është mjaft e qartë se nga çfarë përbëhet e gjithë ekonomia gri në Maqedoninë e Veriut.
Vlerësimet janë se të ardhurat e pambledhura të shtetit nga e gjithë ekonomia gri janë në rreth 700 milionë euro, por nga Instituti thotë se deri më tani kanë analizuar në detaje dy segmente kryesore.
Segmenti i parë është puna e padeklaruar dhe e nëndeklaruar, që mund t’i atribuohet rreth 250 milionë euro, pra një e treta.
Segmenti i dytë janë ndërmarrjet e paregjistruara, d.m.th personat dhe grupet që ushtrojnë veprimtari si moler apo piktor, prodhues tortash dhe ëmbëlsirash, shitës perimesh dhe frutash, zejtarë etj. Ky segment është shumë më i vogël në madhësi se sa i pari.
Segmenti i tretë, i cili ende nuk është analizuar në detaje nga Finance Think, përfshin nëndeklarimin ose mosdeklarimin e fitimit, kryesisht për ta shmangur pagesën e detyrimit për TVSH-në dhe sipas Institutit pjesa e 700 milionë eurove të ardhura e të humbura në buxhet mund t’i referohet pikërisht kësaj pjese.
Nga Instituti thonë se për këtë segment nevojiten të dhëna nga Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) në të cilat nuk ka qasje të lirë, por që mund të sigurohen në bashkëpunim me institucionet përmes protokolleve të veçanta.
Sa i përket punonjësve plotësisht të padeklaruar, Petreski thotë se ata nuk janë problem i madh duke me qenë se përbëjnë rreth 10 përqind të fuqisë punëtore të përgjithshme dhe më shumë se gjysma e tyre janë punonjës familjarë të papaguar në bujqësi.
Problem më i madh, thotë ajo, janë punonjësit e nëndeklaruar të siguruar si punonjës me paga minimale ose që punojnë më pak orë, e që për pjesën tjetër të punës së kryer paguhen me para shtesë në dorë ose në zarf për ta shmangur pagesën e taksave.
“Ky segment është i madh, do të thoja frapant. Vlerësohet se më shumë se një e pesta e kontributit të përgjithshëm të punës mbetet nën radarin e autoriteteve. Bëhet fjalë për rreth 250 milionë euro të ardhura fiskale të humbura në vit për shtetin në formë të tatimeve dhe kontributeve direkte”, thotë Petreski.
Në analizë janë përfshirë punonjës që punojnë joformalisht në kuadër të kompanive të regjistruara dhe punonjës që punojnë në kompani të paregjistruara, ndërsa thuhet se zakonisht ata paguhen me paga nën vlerën e pagës minimale ligjore. Kryesisht punojnë në ndërmarrje të vogla, ose si individë të vetëpunësuar, ose si punonjës të papaguar të familjes.
Kjo kategori punonjësish i përfshin kryesisht burrat me një nivel arsimor më të ulët se gratë në demografi të ndryshme.
Çfarë pagash marrin punonjësit joformalë?
Punonjësit joformalë zakonisht paguhen me paga që janë nën nivelin e pagës minimale ligjore, e cila në vitin 2022 ishte 18.000 denarë. Kjo shpjegon se pse nga pjesën për pagat e dhëna pjesa më e madhe e tyre janë nën këtë nivel % e numri të përgjithshëm të të punësuarve
Nevojitet vullnet i fortë dhe ekipim i mirë
Në Maqedoninë e Veriut përpjekjet e Qeverisë për zhdukjen e ekonomisë gri realizohen përmes disa strategjive, përfshirë këtu Strategjinë për Formalizimin e Ekonomisë Joformale 2023-2027 dhe Planin Strategjik të Drejtorisë të të Ardhurave Publike 2023-2025.
Nga Finance Think thonë se një ndër masat e Qeverisë për zhdukjen e ekonominë gri mund të jetë ndihma financiare për ndërtuesit e vegjël, molerët, automekanikët dhe ofruesit e shërbimeve të ngjashme për ta inkurajuar formalizimin e tyre.
“Për luftën kundër ekonomisë gri nevojitet një vullnet i fortë politik, vendosmëri për paanshmëri dhe jo selektivitet dhe, natyrisht, kuadro të mira në institucionet inspektuese, para së gjithash në DAP dhe në Inspektoratin Shtetëror të Punës (ISHP)”, thotë Petreski.
Gjithashtu nevojiten fushata edukative, masa të rrepta nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Drejtoria e të Ardhurave Publike për “pagat në zarf”, mekanizma për monitorimin e kompanive të mesme për ta reduktuar vlerën e shtuar bruto të humbur (VSHB), si dhe mekanizma të përmirësuar për monitorimin e të ardhurave nga punësimi dhe fushata edukative për grupe të ndryshme për ta zbutur nëndeklarimin e të ardhurave, me çka do të rritet harmonizimi tatimor.