Përfundon afati për konvertimin e patentave për serbët e Kosovës, nga e hëna nisin gjobat
Të premten ka përfunduar afati ligjor për konvertimin e patentave ilegalë në të Republikës së Kosovës, që kryesisht mbahen nga shtetasit me kombësi serbe. Deri tani, sipas shifrave zyrtare, janë 6509 persona që kanë aplikuar për patenta të rregullta.
Por, çfarë do të ndodhë me ata që nuk kanë aplikuar për konvertimin e tyre? Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Kol.Veton Elshani, ka thënë se gjatë fundjavës policia do të japë vërejtje në rast se has në persona me patenta ilegale dhe nga e hëna, në orën 08:00 do të fillojë vendosja e gjobave.
Elshani ka deklaruar se nuk presin ndonjë problem në terren. Ai tha se situata e sigurisë në veri është e qetë. “Situata e sigurisë ne veri është e qetë, është delikate marr parasysh zhvillimet politike që ndodhin. Por për ne është me rëndësi që në rast se ndodh diçka, të kemi mundësi të reagojmë, gjithnjë duke mbajtur në mend që ne jemi këtu për të ofruar shërbim dhe ta mbrojmë popullatën sikurse në Pejë, Gjilan, Prizren, Prishtinë e kudo tjetër, tha ai.
“Ne jemi këtu në secilin vend. Për ne është me rëndësi që nuk ka zonë që ne nuk ecim, nuk lëvizim, nuk hyjmë e nuk ndërhyjmë nëse ka nevojë, e në rast se ndodh diçka, do të shohim se si të reagojmë”.