(VIDEO) VLEN: “Myku i BDI”-së janë vetëm militantët e partisë

(VIDEO) VLEN: “Myku i BDI”-së janë vetëm militantët e partisë

Një deklaratë nga ana e Arben Taravarit, Ministrit të Shëndetësisë, disa ditë më parë ka nxitur përplasje verbale mes BDI-së dhe VLEN-it. Drejtimi i fjalëve nga Taravari për BDI-në ka qenë “myku i BDI-së” fjalë e cila bëri që BDI të reagojë e para për këtë. Gjatë ditës së mërkurë BDI përmes një komunikate ka thënë se janë të shkokuar nga ofendimet e përditshme të vasalëve nga VLEN, humbësve të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, ndaj administratorëve shqiptarë në organet e shtetit duke i quajtur ata, të mykosur.

Më herët, Taravari i kishte quajtur byrek-mbajtës e byrek-blerës të maqedonasve, ndërsa sot, çdo administratorë shqiptarë qenka i mykur. Nuk paska kufi poshtërimi që hyzmeqarët e VMRO-së nga VLEN mund t’ia bëjnë shqiptarëve”, ka vlerësuar BDI-ja.

Pas kësaj, gjatë ditës së sotshme, koalicioni VLEN iu kundërpëgjigj BDI-së duke thënë që “Myku i BDI-së” nuk janë shqiptarët me dinjitet dhe të ndershëm në administratë, por ushtarët e verbuar partiakë të cilëve nuk iu intereson drejtësia dhe funksionimi i sistemit.

VLEN

Sinonim për “mykun e BDI-së” është marrëveshja e turpshme e Ixhet Memetit me “prokurorinë abaziane” për të marrë dënim me kusht për marrje ryshfeti për lehtësimin e procedurës për një person të akuzuar për kontrabandë me cigare. Sinonim për “mykun e BDI-së” është të nxjerrësh tre akte juridike për të detyruar sistemin e drejtësisë të ekstradojë një ish-luftëtar të UÇK-së në Serbi, para se të shprehet Gjykata Supreme, vetëm për të shkaktuar tensione dhe për të akuzuar VLEN-in”

VLEN thekson se sinonim për “mykun e BDI-së” është të paralajmërosh se do të largohesh nga BNJVL-ja gjoja për shkak të diskriminimit të komunave që drejtohen nga kryetarët e tyre, por të mos kesh dinjitet, nder dhe fytyrë të distancohesh nga Ramiz Merko pasi dihet mirëfilli se është futur në listën e zezë të SHBA-së. Sipas koalicionit VLEN, kjo sjellje destruktive e BDI-së është e njohur nga shumica e shqiptarëve dhe do të ndëshkohet ashpër.

Merxhane Iseni /SHENJA/

 

MARKETING