(VIDEO) Danella Arsovska: Unë nuk jam personi që pengoj proceset

(VIDEO) Danella Arsovska: Unë nuk jam personi që pengoj proceset

Bllokadën në Qytetin e Shkupit e shkaktojnë këshilltarët e VMRO-DPMNE-së, të cilët për çdo seancë të Qytetit marrin nga 500 euro dhe nuk e përkrahin asnjë projekt, por as nuk kanë vërejtje për programet tona. Kështu thotë kryetarja e Qytetit të Shkupit Danella Arsovka. Për takimin e mbajtur një ditë me parë me kryeministrin tha se më shumë i ngjante një cirku politik për grumbullim të poenave politike.

Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit

Planin që e prezantuam kishte përpunime të detajuara i të gjithë punëve të bllokuara në këtë moment dhe të gjithë atyre çështjeve që duhet rregullohen që ne të kemi ndërmarrje publike funksionale dhe qytet funkional. I prezantuam një nga një, dhe një nga një na u refuzuan që në fund të na propozohej të vijmë me një plan të ri, duke menduar se do ta refuzojmë këtë, por ne e pranuam. Nëse dikush do të donte vërtetë zgjidhje, do të vinte me kundër plan. Mendoj se i ranë pishman që erdhën në takim. Ne nuk duam konflikte, duam zgjidhje”.

Arsovska përsëriti disa herë se faji nuk duhet të kërkohet tek ajo pasi, pa miratimin e projekteve nga këshilltarët e Qytetit të Shkupit, ajo nuk mund të bëjë asgjë. Madje kërkoi nga gazetarët që të ju bëjnë presion këshilltarëve që ti votojnë projektet.

Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit

Ju duhet të bëni presion tek ata që bllokojnë, që ta debllokojnë procesin. Edhe 100 ditë po të rri këtu nuk do ta zgjedhim problemin me bisedë dhe duke më sulmuar mua sepse unë nuk jam personi që pengoj. Gjithë këta politikanë cirku gjithë mossukesin e tyre po mundohen ta kthejnë tek një person”.

Për problemin me transportin publik Arsovska tha se nuk mund të bëhet asgjë pa e paguar Qeveria borxhin që e ka ndaj Ndërmarrjes së Transportit Publik.

Në mesin e turbullirave të kompetencave dhe mosfunksionimit të ndërmarrjeve publike në kuadër të Qytetit të Shkupit, një ditë më parë u mbajt takim mes kryeministrit dhe kryetares së Qytetit të Shkupit. Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski në konferencën për shtyp pas takimit tha se situata në Qytetin e Shkupit është dëshpëruese, ndërsa kryetarja e Shkupit Danella Arsovska deri në fund të javës do të përgatisë një plan për zgjidhjen e kaosit.

Kujtojmë se kryetarët e komunave të Shkupit në mbledhjen koordinuese të 14 gushtit, vendosën që t’i dorëzojnë Qeverisë dhe Ministrisë së Mjedisit propozim që t’u merren kompetencat Ndërmarrjeve Publike për Higjienë komunale dhe Parqe dhe gjelbërim.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING