(VIDEO) LSDM dhe Levica akuzojnë se VMRO ka marrëveshje të fshehtë me BDI-në

(VIDEO) LSDM dhe Levica akuzojnë se VMRO ka marrëveshje të fshehtë me BDI-në

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë ka ngritur dyshime për ekzistimin e një marrëveshje të fshehtë ndërmjet VMRO-së dhe BDI-së. Partia që u rrëzua nga pushteti duke pësuar humbje të thellë në zgjedhjet e fundit pretendon se marrëveshja e tillë reflektohet në rastin kur në Kuvend, VMRO-DPMNE e realizoi njërën nga marrëveshjet e koalicionit me BDI duke themeluar një organ për monitorimin e përfaqësimit të drejtë të komuniteteve. “E njëjta VMRO-DPMNE që premtoi shfuqizimin e balancuesit, duke zbatuar marrëveshjen me BDI-në, e ngriti në një nivel më të lartë, në atë të Kuvendit”, thekson LSDM-ja.

LIDHJA SOCIALDEMOKRATE E MAQEDONISË

Në mëngjes Mickoski thotë se BDI do të destabilizojë vendin, ndërsa pasdite në Kuvend deputetët e tij votojnë vendime të përbashkëta me BDI-në. A nuk u bënë bashkëfajtorë në planin e destabilizimit? A do të dalë tani Miteva për të akuzuar deputetët e VMRO-DPMNE-së? Çfarë marrëveshje tjetër ka ndërmejt VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së? Një gjë është e qartë, marrëveshjet nën tavolinë, manipulimet dhe konfliktet e rreme publike mes dy palëve janë metoda që janë parë në të kaluarën dhe nuk kalojnë më, qytetarët i njohin”.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe partia tjetër opozitare maqedonase, E Majta. Partia e drejtuar nga Dimitar Apasiev vlerëson se komisioni i formuar është i pakuptimtë, sepse ishte pikërisht VMRO-ja ajo që në programin parazgjedhor premtoi heqjen e balancuesit të punësimit me çelës etnik dhe mohoi çdo bashkëpunim me BDI-në.

Partia e Majta

Bashkëpunimi i DPMNE-së me partnerin e vjetër të koalicionit BDI nuk është befasues dhe vjen si rezultat i pazarit për mazhorancën 2/3 në Kuvend me përfaqësuesit e BDI-së, kur në vend që të pranohej propozimi parimor për një njësi zgjedhore, DPMNE vendosi të pranojë mbështetjen e kushtëzuar për shumicën 2/3”

Formimi i Komisionit për Monitorimin e Përfaqësimit të Drejtë të Komuniteteve ishte kusht i vendosur nga Fronti Europian, për votimin e ndryshimeve ligjore që mundësuar formimin e ministrive të reja. /SHENJA/

MARKETING