(VIDEO) Kurti për rrugën Prizren-Tetovë: Po lidhim dy qytete historike
Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu kanë vizituar fillimin e punimeve në rrugën Prizren-Tetovë, për të cilat ka theksuar se lidh këto dy qytete historike të dy shteteve fqinje, me rëndësi të veçantë si për qytetarët, ashtu edhe për ekonominë. Projektin për ndërtimin e kësaj rruge që përfshinë njërën rrugë në dalje të autostradës “Ibrahim Rugova” dhe tjetra në afërsi të Fshatit Struzhë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ka tenderuar që në muajin prill të këtij viti në 3 lote. Në LOT-in 1 dhe LOT-in 3, punimet filluan. Vlera totale e projektit është paraparë të jetë 35 milionë euro, me gjatësi prej 20.3 km.
Nga vendpunimi i LOT-it 3, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ky projekt është i rëndësisë së jashtëzakonshme infrastrukturore, që lidh dy qytete, dy shtete, me rëndësi të veçantë si për qytetarët ashtu edhe për ekonominë. Ky lot ka gjatësinë prej afër 7 kilometrave dhe është në vlerë prej 8.3 milionë euro. Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, u shpreh se ky projekt përpos që e lidh autostradën “Ibrahim Rugova” me korridorin Jon-Adriatik dhe me korridorin 8, shërben edhe për turizëm malor nga të dyja anët dhe kontribuon në zhvillimin ekonomik të dy vendeve.
Sipas planifikimeve të përafërta, komplet rruga Prizren-Tetovë, pritet të kushtojë rreth 200 milionë euro.
Aktualisht , rruga nga Tetova në Prizren është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.
Kjo rrugë në të kaluarën është premtuar në shumë cikle zgjedhore në RMV, por nuk është realizuar./SHENJA/