(VIDEO) Presidenca e Kosovës: Është për keqardhje se si u trajtua incidenti i Osmanit në konferencën e Kurtit dhe Mickoskit

(VIDEO) Presidenca e Kosovës: Është për keqardhje se si u trajtua incidenti i Osmanit në konferencën e Kurtit dhe Mickoskit

Presidenca e Kosovës ka shprehur keqardhje se si është trajtuar incidenti nga konferenca që u mbajtë ditën e hënë, nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Nga atje thonë se mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës.

PRESIDENCA E KOSOVËS

Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës”.

Presidenca e Kosovës shton më tej se e vlerësojnë shprehjen e keqardhjes nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, por siç thonë ata për fat të keq deri tani në asnjë moment institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë trajtuar çështjet e ngritura në notën e protestës që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtës ndërkombëtare zakonore në raport me Republikën e Kosovës, por perkundrazi, hapur e pa asnjë hezitim e kanë pranuar një shkelje të tillë.

Në reagimin e bërë nga presidenca, thuhet se raportet për incidentin e paprecedentë në Aeroportin e Shkupit të përgatitura nga Presidenca dhe Policia e Kosovës janë tashmë të finalizuara dhe të qasshme, dhe kanë qenë tash e sa ditë.

PRESIDENCA E KOSOVËS

Nga këto raporte kuptohet qartë se nuk ka kërkesë për devijim ose anashkalim të rregullave, por përkundrazi, respektim dhe aplikim të konventave dhe të së drejtës ndërkombëtare zakonore, e mbi të gjitha, respekt për Republikën e Kosovës”.

Kryeministri i vendit Hristijan Mickoski gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin të hënën ,shprehi kqardhje për atë që ka ndodhur më 2 gusht dhe u ofrua që herën e ardhshme kur presidentja Osmani të udhëtoj përmes Aeroportit të Shkupit, ai ta shoqëroj deri sa e pret fluturimin, me qëllim që t’u iket incidenteve të këtilla. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti porositi që të zbardhet rasti në mënyrë që të mos krijohen tensione. Ai u shpreh se ngjarja e ndodhur në Shkup ka qenë një përjetim i rëndë për presidenten Osmani.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING