(VIDEO) Vazhdon lufta me flakët, piromanët do të zbulohen me dronë

(VIDEO) Vazhdon lufta me flakët, piromanët do të zbulohen me dronë

Drejtori i byrosë për siguri publike Aleksandar Janev ka njoftuar se do të angazhohen të gjithë dronët që janë në dispozicion dhe do të jenë në funksion për 24 orë së bashku me kamerat termike, me qëllim të zbulimit të autorëve të mundshëm të shkaktimit të zjarreve.

ALEKSANDAR JANEV, DREJTOR I BYROSË PËR SIGURI PUBLIKE

U bëj thirrje qytetarëve. Keni kujdes kur lëvizni nëpër pyje dhe fusha, megjithatë, shëndeti i përgjithshëm dhe jetët e njerëzve janë gjëja më e çmuar, ndërsa zjarrvënia është një krim mjedisor i shkallës më të lartë. Sot ju njoftoj për angazhimin e të gjithë dronëve, të cilët do të jenë në funksion për 24 orë, së bashku me kamerat termike, me qëllim të zbulimit të autorëve të mundshëm – ndezësve të zjarreve”.

Gjatë ditës së djeshme, siç kanë njoftuar nga Qendra për Menaxhimin e Krizave kanë ndodhur gjithsej 29 zjarre në ambiente të hapura, nga të cilat pesë janë aktive edhe gjatë ditës së sotme, tre janë vënë nën kontroll dhe 21 janë shuar.

Ndërkaq nga dita e sotme në Shkup është hapur pikë humanitare ku bëhet grumbullimi i të mirave materiale për qytetarët e prekur nga zjarret në Maqedoninë Lindore. Qytetarët dhurojnë ushqime të konservuara, veshje, atlete, mobilje, dyshekë dhe të mira të tjera materiale, të cilat më pas do të dërgohen në rreth 30 fshatra, tek rreth 400 familje. Pika e grumbullimit gjenget ngjitur me “East Gate Mall”, pranë ndërmarrjes komunale. Aksioni koordinohet nga Koalicioni i udhëhequr nga “Humanitarian Actions.mk”, Konfederata e Organizatave Sindikaliste të Maqedonisë dhe Organizata Ndërkombëtare e Policisë.

Ndryshe, Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes ekipeve të veta mobile, u angazhua në mbështetje logjistike të ekipeve, institucioneve dhe qytetarëve të angazhuar në shuarjen e zjarreve. Kryqi i Kuq ka hapur linjat telefonike SOS për ndihmën e parë psikologjike  për popullatën e prekur nga zjarret.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING