Mucunski e kthen nipin e Ahmetit nga Brukseli – nuk ka treguar rezultate të mira në investime

Mucunski e kthen nipin e Ahmetit nga Brukseli – nuk ka treguar rezultate të mira në investime

Besian Ahmeti, nipi i Ali Ahmetit dhe i dyshuar në rastin e keqpërdorimit të koncesionit për pasuritë minerale, nga 1 gushti i këtij viti nuk do të jetë më sekretar i parë në ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Bruksel. Një vendim i tillë është marrë me nënshkrimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, i cili i ka ndërprerë marrëdhënien e punës nipit të Ahmetit dy vjet para asaj që shkruhej në kontratë.

Në vend të 1 majit 2026, mandati i Besian Ahmetit si sekretar i parë, sipas vendimit të miratuar, përfundon më 1 gusht të këtij viti.

Nipi i Ahmetit është i punësuar në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës me vendim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të datës 26.04.2023, kur është dërguar për punë në Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Bruksel me përgjegjësi për shtetet e Beneluksit (Belgjikë, Holandë dhe Luksemburg) në detyrën e sekretarit të parë për një periudhë 3-vjeçare, duke filluar nga 1 maj 2023.

Vendimi është marrë dje dhe kundër tij mund të bëhet ankesë në Agjencinë për Administratë në afat prej 8 ditësh.

Besian Ahmeti është nipi i liderit të BDI-së, Ali Ahmetit, dhe vëllai i tashmë të famshmit Drin Ahmeti ndërsa të dy dyshohen nga MPB-ja për keqpërdorim të koncesionit për pasuritë minerale pasi policia zbuloi se nuk paguanin për koncesionin. Dëmi nga keqpërdorimi është mbi 1,6 milionë denarë, përkatësisht rreth 27 mijë euro.

MARKETING