(VIDEO) Filipçe: Gabuam kur miratuam kodin penal

(VIDEO) Filipçe: Gabuam kur miratuam kodin penal

Lideri i LSDM-së Venko Filipçe deklaroi se LSDM ka gabuar me ndryshimet në Kodin Penal. Ai bëri të ditur se kanë përgatitur një kod të ri i cili kishte filluar të punohej që nga viti 2017 dhe për të cilin kërkoi që qeveria ta vendos në debat publik.

VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË

Për shkak të reagimeve të qytetarëve, reagimeve të panelit të ekspertëve dhe atë se çfarë manifestuan qytetarët në zgjedhje në aspektin e votave, nuk është e ndershme të mbyllim sytë dhe veshët. Unë propozoj një zgjidhje solide dhe vazhdimin e rrugës së bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare. Apeloj që Qeveria ta vendosë në debat publik dhe bashkë ta miratojmë atë ligj”.

Shtatorin e kaluar deputetët brenda një dite me Flamur europian miratuan ndryshimet në Kodin Penal, me të cilat iu ul dënimi me burg funksionerëve për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Sa i përket Qeverisë së re, Filipçe thotë se e kanë filluar keq punën e tyre dhe kanë poshtëruar punëtorët, pasi nuk kanë paralajmëruar rritje të pagave. Ai theksoi se për 30 ditë qeverisje të VMRO-DPMNE-së shteti po shkon në një drejtim të paqartë.

VENKO FILIPÇE KRYETAR I LSDM-SË

Gjithçka që kanë thënë, e kanë shkelur. Ata thanë se do ta anulojnë Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen me Bullgarinë, por nuk e bënë këtë. Mendoj se vendi po shkon në një drejtim strategjik të çuditshëm dhe të paqartë, për vetëm 30 ditë. Është gënjeshtër se nuk ka pasur para në Buxhet, siç akuzon Qeveria dhe është e sigurt se diçka fshihet pas kredisë prej 500 milionë eurosh nga Hungaria, po pyes se cila është prejardhja e parave. Do të kërkojë që vendimi ligjor për kredinë të kalojë sa më shpejtë në Kuvend para deputetëve”.

Lidhur me akuzat ndaj tij nga partia në pushtet, Filipçe thotë se ka punuar me ndershmëri dhe se ndaj tij janë mbyllur procedurat për prona të caktuara.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING