Arrestohet edhe një person për arratisjen e Faton Hajrizit nga burgu i Smrekonicës
Është arrestuar edhe një person pasi dyshohet se e kishte ndihmuar Faton Hajrizin të arratisej nga burgu.
Lajmin e ka konfirmuar për Reporteri.net, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.
“I dyshuari është arrestuar rreth orës 16:00 dhe i janë caktuar 48 orë paraburgim”, tha Preteni për Reporteri.net.
Edhe dje u arrestua një person për arratisjen e Faton Hajrizit. Këtë e konfirmoi dje Policia e Kosovës për Reporteri.net.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka zhvilluar hetime në lidhje me arratisjen e ndodhur ditë më parë në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë. Për të gjitha veprimet hetimore është konsultuar prokurori kompetent, me vendim të të cilit personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë”, thanë dje nga Policia e Kosovës për Reporteri.net.
Faton Hajrizi kishte një historik të gjatë arratisjesh nga burgu.
Për herën e nëntë dhe të fundit, ai u arratis, më 6 korrik derisa ndodhej në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë. Pak ditë më vonë u bë i dyshuar për vrasjen e një polici në Serbi dhe u vra deri sa ishte në arrati nga autoritetet serbe të premten, më 19 korrik.
Pas rreth 40 orësh kërkimesh, Faton Hajrizi të premten është lokalizuar dhe vrarë nga policia serbe.