Jeton Beqiri dhe Klisman Cake flasin para duelit me Noah e Armenisë

Jeton Beqiri dhe Klisman Cake flasin para duelit me Noah e Armenisë

Shkëndija të enjten në orën 20:00 në “Todor Proeski” në Shkup zhvillon ndeshjen e dytë të xhiros së parë të eliminatoreve të UEFA Europa Conference League përballë FC Noah nga Armenia.

Para ndeshjes në konferencën për shtyp kanë folur trajneri i kuqezinjëve Jeton Beqiri dhe mbrojtësi Klisman Cake.

Jeton Beqiri: “Atmosfera në ekip është e mirë. Në ndeshjen e kthimit vijmë me një rezultat negativ dhe realisht nuk është ajo që ne do të donim, por në u munduam që të rikthejmë atmosferën në skuadër dhe besoj që futbollistët janë të gatshëm të japin maksimumin dhe të tentojmë që të eliminojmë rezultatin nga ndeshja e parë.”

Jeton Beqiri: “Mendoj që Shkëndija në ndeshjen kthyese duhet të jetë një ekip më i guximshëm, duhet të jetë ekip që të kërkojë më shumë golin dhe nuk duhet të jemi në panik për të shpejtuar të shënojmë gol, për shkak se një ndeshje futbolli zgjatë më shumë se 90-të minuta dhe besoj në qoftë se kemi një paraqitje kualitative, duhet të shfrytëzojmë rastin që të shënojmë gol dhe pastaj edhe presioni psikologjik të kaloj në anën e kundërshtarit. 2:0 nuk është rezultat që nuk mund të kthehet, është rezultat që i mundëson një lloj komoditeti ekipit kundërshtar, por ajo ka edhe minusat e veta, e cila mund të ju shndërrohet në negativitet. Ne mendojmë shumë pozitivisht, por ma e rëndësishmja nga gjithçka është të përmirësojmë performancën nga ndeshja e parë.”

Jeton Beqiri: “Mendoj që ndeshja kundër Noah, pavarësisht se ata janë një skuadër që kanë angazhuar shumë futbollist cilësor, por në fushën e lojës ishte një ndeshje e barabartë, një ndeshje që të dyja ekipet nuk treguan futboll shumë cilësor. E rëndësishme është se ne si skuadër arritëm të mbrohemi mirë në atë ndeshje, por gabum në momente të fundit të takimit, konkretisht në 10-të minutat e fundit dhe pranuam dy gola, njërin nga rivënia anësore dhe tjetrin nga rivënia këndore, të cilat në kësi lloj ndeshje të kësaj rëndësie nuk duhet pranohen. Jam i mendimit se është e nevojshme që nesër të japim maksimumin dhe gjithashtu të mundohemi të bëjmë një performancë shumë më të mirë, duke e krahasuar me ndeshjen e parë. Besoj që me ndihmën e publikut dhe fatit sportiv në raste të veçanta të kemi mundësi që të eliminojmë rezultatin negativ të ndeshjes së parë.”

Klisman Cake: “Jemi shumë të motivuar për ndeshjen e nesërme, se nëse nuk do të ishim të motivuar dhe nuk do të besonim, nuk do të ishim këtu sot. Besoj se do ta rikthejmë rezultatin, ne kemi ditur të ringrihemi edhe në raste tjera kur të gjithë na kanë menduar të vdekur, ne përsëri jemi munduar dhe kemi ditur të ringrihemi, të tregojmë se cila është ajo Shkëndija e vërtetë. Kështu që do të mundohemi si unë dhe si çunat tjerë nesër të japim 100% dhe besojmë shumë te përmbysja dhe të tregojmë atë Shkëndijën e vërtetë që duam të gjithë.”

Klisman Cake: “Patjetër që jemi të gatshëm për ndeshjen e nesërme. Si unë edhe të gjithë çunat tjerë besojmë se do të arrijmë ta përmbysim rezultatin dhe jemi plotësisht gati.”

MARKETING