Popullsia botërore pritet të arrijë kulmin para fundit të shekullit – thotë një raport i ri

Popullsia botërore pritet të arrijë kulmin para fundit të shekullit – thotë një raport i ri

Popullsia e botës pritet të rritet me më shumë se 2 miliardë njerëz në dekadat e ardhshme dhe të arrijë kulmin në vitet 2080 në rreth 10.3 miliardë, një ndryshim i madh nga një dekadë më parë, tha një raport i ri i Kombeve të Bashkuara të enjten.

Raporti – i publikuar në Ditën Botërore të Popullsisë – thotë se popullsia globale pritet të bjerë në rreth 10.2 miliardë deri në fund të shekullit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

John Wilmoth, kreu i Divizionit të Popullsisë së OKB-së që përgatiti raportin, tha se probabiliteti që popullsia e botës të arrijë kulmin brenda shekullit aktual është mjaft i lartë – rreth 80%.

“Ky është një ndryshim i madh në krahasim me parashikimet e Kombeve të Bashkuara nga një dekadë më parë, kur probabiliteti i vlerësuar që popullsia globale do të arrinte maksimumin, dhe kështu rritja do të përfundonte gjatë shekullit të 21-të, ishte rreth 30%”, tha ai.

Ndërsa profesori i matematikës në Universitetin Bucknell, Tom Cassidy, i tha AP se hulumtimi i sapobotuar në revistën Demography – ku ai ishte bashkëautor – gjithashtu llogarit se popullsia ka të ngjarë të arrijë kulmin përpara fundit të shekullit.

Sipas raportit të Perspektivave të Popullsisë Botërore 2024, kulmi i popullsisë më herët se sa ishte parashikuar është për shkak të disa faktorëve, duke përfshirë nivelet më të ulëta të fertilitetit në disa nga vendet më të mëdha të botës, veçanërisht Kinën, popullsia e së cilës parashikohet të bjerë në mënyrë dramatike nga 1.4 miliardë në 2024 në 633 milionë në vitin 2100.

Gati 20% e botës – duke përfshirë Kinën, Italinë, Korenë e Jugut dhe Spanjën – kanë fertilitet “ultra të ulët”, me femrat që kanë më pak se 1.4 “lindje të gjalla”, thuhet në raport.

Në Kinë, numri aktual është vetëm rreth një lindje për grua, tha Wilmoth.

Sipas raportit, në vitin 2024 popullsia tashmë ka arritur kulmin në 63 vende dhe territore, duke përfshirë Kinën, Gjermaninë, Japoninë dhe Rusinë. Në këtë grup, popullsia totale parashikohet të bjerë me 14% gjatë 30 viteve të ardhshme.

Ndërsa në 48 vende dhe territore të tjera – duke përfshirë Brazilin, Iranin, Turqinë dhe Vietnamin – popullsia parashikohet të arrijë kulmin midis 2025 dhe 2054, thuhet në raport.

Për nëntë prej këtyre vendeve – duke përfshirë Angolën, Republikën e Afrikës Qendrore, Kongon, Nigerinë dhe Somalinë – OKB-ja po projekton rritje shumë të shpejtë, me popullsinë e tyre duke u dyfishuar midis 2024 dhe 2054.

Dhe ndërsa këto dallime janë të habitshme, Wilmoth tha, “është e rëndësishme të kuptohet se të gjitha popullatat po ndjekin një rrugë të ngjashme”.Popullsia e botës është rritur në mënyrë dramatike në 75 vitet e fundit, nga rreth 2.6 miliardë në 1950 në 8 miliardë në nëntor 2022. Që atëherë, ajo është rritur me afërsisht 2.5% në 8.2 miliardë.

 

MARKETING