(VIDEO) Aggeler: Besimi i qytetarëve në gjyqësor është në nivel mjaft të ulët

(VIDEO) Aggeler: Besimi i qytetarëve në gjyqësor është në nivel mjaft të ulët

Ambasadorja amerikane në vend Angela Aggeler, ka deklaruar  se Këshilli Gjyqësor duhet të ndjekë rekomandimet e Misionit Vlerësues dhe se besimi i opinionit tek gjyqësori është në nivel mjaft të ulët.  Sipas saj, Këshilli Gjyqësor u shërben qytetarëve të saj, që mbron të pafajshmit dhe ndëshkon ata që mendojnë se janë mbi ligjin.

ANGELA AGGELER,AMBASADORE AMERIKANE NË RMV

“Do të pajtoheni se ka shumë përpara jush. Raporti i Misionit të vlerësimit të BE-së është një udhërrëfyes i vlefshëm për ristrukturimin e Këshillit Gjyqësor dhe rivendosjen e rolit të tij brenda gjyqësorit. Këshilli Gjyqësor është një armë e rëndësishme në arsenalin e armëve që do të jenë të nevojshme për të transformuar realisht gjyqësorin e Maqedonisë së Veriut, në një institucion që u shërben qytetarëve të saj, që mbron të pafajshmit dhe ndëshkon ata që mendojnë se janë mbi ligjin. Sepse sot, siç e përshkroi ambasadori Kopp, besimi i publikut në gjyqësor është mjaftë  i ulët”.

Ajo shtoi se Këshilli Gjyqësor duhet të ndjekë ligjin dhe t’i rezistojë presioneve politike, sepse siç tha, Maqedonia e Veriut ka ligje të mira, si dhe prokurorë dhe gjyqtarë me përvojë.

ANGELA AGGELER,AMBASADORE AMERIKANE NË RMV

“Maqedonia e Veriut ka ligje të përpunuara mirë, institucione të pajisura mirë dhe prokurorë dhe gjyqtarë me përvojë, dhe shumica e tyre kanë udhëtuar dhe kanë pasur shkëmbime me Shtetet e Bashkuara. Pra, lind pyetja, si të fillojmë ta plotësojmë atë boshllëk apo mungesë besimi tek ata që supozohet t’u shërbejmë. Mesazhi është i qartë dhe nuk ndryshon. Bëni punën që duhet të bëni. Ndiqni ligjin, punoni për njerëzit, rezistoni presioneve politike, mbroni integritetin tuaj dhe përqafoni transparencën. Puna e vështirë tashmë ka filluar dhe ne po shohim përparim. Tani le t’ju ndihmojmë të ecni edhe më tej në rrugën tuaj”.

Këto deklarata nga ambasadorja amerikane vijnë, pasi mori pjesë në Konferencën për progresin në zbatimin e rekomandimeve të Misionit vlerësues të BE-së nga Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING