(VIDEO) Mexhiti: Ivan Stoillkoviqin nuk e sollëm ne, por e gjetëm nga BDI

(VIDEO) Mexhiti: Ivan Stoillkoviqin nuk e sollëm ne, por e gjetëm nga BDI

“Ivan Stoillkoviqin nuk e sollëm ne, por e gjetëm nga BDI”. Kështu deklaroi kryetar i Lëvizjes Demokratike  Izet Mexhiti, për akuzat e partisë tashmë opozitare, për propozimin e VMRO-së që Ministër i Marrëdhënie mes Bashkësive të jetë Ivan Stoilkoviq, i njohur për qëndimet e tij kundër Kosovës, masakrës së Srebrenicës dhe mbështetës i politikës ruse. Mexhiti shtoi se nuk janë të kënaqur me këtë propozim, por e pranojnë sepse është propozim i dhënë nga partnerët e tyre të koalicionit.

IZET MEXHITI, KRYETAR I LËVIZJES DEMOKRATIKE 

”Nuk jemi shumë të kënaqur që Stoilkoviq do të jetë koleg i joni në Qeveri, për shkak të qendrimeve të tij atë nuk e kemi sjellur ne e kemi gjetur nga BDI. Sepse 10 vitet e kaluara ka qenë në koalicion me BDI, që 10 vite ka siguruar shumicën në Qeveritë e kaluara. Fundi fundit politika është arti i të mundshmes ne do e pranojmë sepse është partner i koalicionit më të madh në Qeveri, por ai udhëheq me dikaster që është shumë i vogël dhe do merret vetëm me pakicat në Maqedoni” .

Spektakli i sotëm tragji-komik i koalicionit që humbi zgjedhjet parlamentare, është vetëm një tentim i radhës për të mashtruar qytetarët me premtime boshe. Kështu u përgjigjen nga Fronti Evropian, përmes një reagimi dërguar mediave. Me emërimin e Stoilkoviqit,  Fronti thotë, se VLEN po e mbulon me gënjeshtër për rolin dhe vazalin e VMRO-së.

FRONTI EUROPIAN

“Për ta mbuluar këtë dështim, si dhe dështimet e tjera si humbja e zëvendëskryeministrit të parë, ulja e numrit të ministrive, humbja e ministrive më me peshë, ulja e numrit të drejtorive, zgjedhja e pro Putinistit dhe pro Vuçiqit, e anti kosovarit Ivan Stoilkoviçit për Ministër për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe shumë dështime të tjera, VLEN sot nxori gënjeshtrën e radhës që më shumë ngjante në një shfaqe tragji-komike arsyetuese partiake për rolin e shërbetorit dhe vazalit të VMRO-së”.

Izet Mexhiti po ashtu shtoi se balancuesi do të zëvendësohet me ligj për përfaqësim të drejtë sepse deri tani është keqpërdorur dhe nuk ka funksionuar në mënyrë të drejtë. Kurse për postin e zëvendës kryeministrit të parë, të cilin do ta bartë Mexhiti në Qeverinë e re, u shpreh se ky post figuron vetëm në Rregulloren e Qeverisë dhe nuk është i rregulluar me Ligjin për Qeveri, por se ata do ta rregullojnë edhe me Ligj.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING