Spanja kërkon t’i bashkohet Afrikës së Jugut në gjyqin kundër Izraelit
Spanja u bë të enjten vendi i parë evropian që i kërkoi një gjykate të Kombeve të Bashkuara leje për t’iu bashkuar rastit gjyqësor të ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit për gjenocid në Gazë.
Afrika e Jugut e paraqiti rastin e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në fund të vitit të kaluar, duke pretenduar se Izraeli po e shkel konventën e gjenocidit, në luftën në Gazë.
“Ne e morëm vendimin për shkak të operacionit të vazhdueshëm ushtarak në Gazë”, tha të enjten në Madrid, ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares.
“Ne duam që paqja të kthehet në Gazë dhe në Lindjen e Mesme. Që kjo të ndodhë, ne të gjithë duhet ta mbështesim gjykatën”, shtoi ai.
GjND urdhëroi Izraelin më 24 maj që “menjëherë të ndalë” ofensivën e tij ushtarake në Rafah, në jug të Gazës.
Sipas gjykatës, Izraeli duhet të ndalë edhe çdo veprim tjetër në Rafah, që mund të përkeqësojë jetesën e palestinezëve në këtë pjesë të Gazës.
Izraeli ka pak të ngjarë që të zbatojë një urdhër të tillë dhe i ka hedhur poshtë akuzat për gjenocid duke thënë se bën gjithçka që mundet për t’i mbrojtur civilët palestinezë në Gazë.
Shteti izraelit akuzon Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evorpian – për përdorimin e civilëve palestinezë si mburoja njerëzore.