(VIDEO) U hap panairi i librit “Prishtina 2024”, “Logos – A” me dhjetëra tituj dhe zbritje deri në 50 %

(VIDEO) U hap panairi i librit “Prishtina 2024”, “Logos – A” me dhjetëra tituj dhe zbritje deri në 50 %

Me moton “Përgjigjja është libri”, u hap sot në mesditë edicioni i 24-t i Panairit të Librit, i organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën dhe bashkëpunimin nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës dhe Pallati i Rinisë. Në panair marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora. Numri i titujve të rinj në këtë panair është rreth 2000, ndërkaq numri i titujve të viteve të fundit arrin në rreth 6 000.

Shtëpia Botuese, “Logos-A” nga Shkupi merr pjesë me dhjetëra tituj, 16 prej të cilave janë tituj të rinj, ndërsa katër prej tyre u botuan para tre ditëve. Ndër titujt e rinj që prezanton Logos-A në Prishtinë janë : “Miti i demokracisë” nga autori Tage Lindbon, botimi i librit “Amanet Ramazani” nga prof.dr. Ismail Bardhi, “Dyzet Net vëllimi 10” të prof.dr. Metin Izetit, “Njihni kafshët përmes ajeteve”, “Njihni bimët përmes ajeteve” që të dy të autores Nurcan Yıldırım, “Heshtja e pianistes” të autores Neviana Shehi, “Filozofi për qejf” në katër pjesë, të autorit Omer Sevinçgyl, etj. Në panairin e librit “Prishtina 2024”, “Logos A” do të ketë zbritje nga 30 deri në 50 %.

Gjatë ditëve të panairit do të ketë mbi 40 aktivitete, promovime dhe autorë të pranishëm, ku i ftuari i nderit shkrimtari francez Éric Faye, fitues i Çmimit të Madh për roman të Akademisë Franceze dhe i Çmimit Deux-Magots, ndërkaq në kuadër të këtyre aktiviteteve Logos-A, më 8 qershor me fillim në ora 13.00, do të promovon kompletin e veprave të autorit kosovar, prof. dr. Sali Bashota, vepra këto të botuara muaj më parë nga kjo shtëpi botuese.

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40 000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës. Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate. Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00-21:00. Panairi do të mbyllet më 9 qershor, në orën 19:00. /SHENJA/

MARKETING