Kurti: Kosova e Turqia të avancojnë bashkëpunimin në ekonomi e siguri

Kurti: Kosova e Turqia të avancojnë bashkëpunimin në ekonomi e siguri

Gjatë qëndrimit në Turqi, kryeministri Albin Kurti u takua me komunitetin e mërgatës “Qendra Kulturore në Zeytinburnu /Zeytinburnu Kültür Merkezi”.

Ai me këtë rast tha se kërkojnë të avancojnë bashkëpunimin me Turqinë në ekonomi, tregti, mbrojtje dhe siguri.

Teksa përmendi se mbrojtja, siguria, bujqësia, arsimi, shëndetësia janë sektorët ku janë bërë investimet më të mëdha deri më tash në Kosovë, kryeministri Kurti përmendi ushtarët dhe oficerët e ushtrisë, një pjesë e të cilëve janë në Turqi duke u trajnuar që të jenë sa më të përgatitur për mbrojtjen dhe sigurinë e Kosovës.

“Të dashur bashkatdhetarë, ne jemi të interesuar që ju të vini sa më shpesh në Kosovë, linjat ajrore janë të përditshme prej disa qyteteve, por nuk kërkojmë prej jush që të vini e të sakrifikoni për të kontribuar, por të investoni për të fituar. Të gjithë ju që jeni ndërmarrës, një degë të biznesit tuaj, ejani edhe barteni në Kosovë”, tha Kurti.
Ai ka vlerësuar rolin e mërgatës shqiptare në thellimin e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Turqisë, por edhe të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Luginës së Preshevës dhe Malit të Zi.

“Kudo që janë shqiptarët në Ballkan mund të krijojnë ura bashkëpunimi ekonomik, tregtar, kulturor me juve këtu, njësoj qysh i kemi edhe turqit në Kosovë, të cilët gjithashtu janë urë e bashkëpunimit të Kosovës me Turqinë”, tha Kurti.

Vizita e kryeministrit Kurti nesër do të pasohet nga pjesëmarrja në forumin e parë ekonomik të bizneseve Kosovë-Turqi që paraqet një mundësi për thellim të bashkëpunimit ekonomik dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe investimeve të huaja.

MARKETING