Konjufca i zhgënjyer me BE-në: Pret me padurim të punojë me qeverinë serbe, e nuk janë të gatshëm t’i heqin masat Kosovës
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka shprehur zhgënjimin e tij ndaj deklaratave të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borell, pasi ky i fundit ka uruar qeverinë e re të Serbisë, ku në kabinet ka dy ministra të sanksionuar për korrupsion
Konjufca ka thënë se është për keqardhje kur sheh një deklaratë të tillë, derisa masat ndaj Kosovës vazhdojnë të jenë në fuqi.
“Me keqardhje dëgjohet se BE-ja po pret me padurim të punojë me qeverinë serbe, duke përfshirë zëvendëskryeministrin Alexander Vulin, i cili është nën sanksionet e SHBA-së për lidhjet e tij të ngushta me Rusinë, ndërsa ata ende nuk janë të gatshëm të heqin masat e padrejta kundër Kosovës”, ka shkruar kryeparlamentari në platformën X.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha të premten se mezi pret të punojë me Qeverinë e re të Serbisë, por shtoi se veprimi në përputhje me vlerat dhe politikat e bllokut janë thelbësore për rrugën drejt anëtarësimit në bllok.
“Urime kryeministrit të ri të Serbisë, Millosh Vuçeviq. Mezi pres të punoj me ju, ministrin e Jashtëm Marko Gjuriq dhe Qeverinë serbe, për ta çuar Serbinë përpara në rrugën e saj drejt BE-së”, shkroi Borrell në rrjetin social X të premten.
Më 2 maj, deputetët e Kuvendit të Serbisë zgjodhën Qeverinë e re, të kryesuar nga Millosh Vuçeviq, i cili paralajmëroi ditë më parë se Serbia nuk do t’i ndryshojë qëndrimet e mëparshme në lidhje me Rusinë dhe Kosovën./Reporteri.net/