Kroacia premton mbështetje për Kosovën në BE e NATO

Kroacia premton mbështetje për Kosovën në BE e NATO

Në kuadër të takimeve me homologët e vendeve partnere, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot ka pritur në vizitë ministrin e Mbrojtjes të Kroacisë, Ivan Anusic.

Ceremonia zyrtare e pritjes, e shoqëruar me togun ceremonial të FSK-së, u zhvillua në objektin e Ministrisë së Mbrojtjes, ku të dy ministrat e mbrojtjes dhe delegacionet përkatëse mbajtën takimin bilateral.Në këtë takim, po ashtu morën pjesë komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, shefi i Mbrojtjes i Kroacisë, Tihomir Kundid, drejtori i Drejtorisë për Inteligjencë dhe Siguri, gjeneralmajor Gëzim Hazrolli, shefi i Stafit të Shtabit të FSK-së, gjeneral brigade Ilir Qeriqi, ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barisic, si dhe zyrtarë dhe ushtarakë të tjerë të lartë nga të dy vendet.
Në takimin e mbajtur, u diskutua rreth situatës së sigurisë në vend dhe rajon, shërbimin e trupave kroate në kuadër të KFOR-it, kapacitetet mbrojtëse të Kosovës dhe drejtimeve ushtarake, ku mund të rritet bashkëpunimi në mes Kosovës dhe Kroacisë.

Maqedonci, theksoi se Kosova dhe Kroacia ndajnë të kaluar të gjatë të përbashkët si miq, aleatë e partnerë, raportet ndërmjet të cilave shtete do të vazhdojnë të zhvillohen në përputhje me synimet tona për paqe, stabilitet e siguri.

Ministri e falënderoi homologun e tij për mbështetjen e deritanishme në fushën e mbrojtjes, shkollimin dhe trajnimin e ushtarakëve të FSK-së, ndërsa i kërkoi mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut.

Në anën tjetër, ministri kroat i Mbrojtjes, Anusic, theksoi se Kosova do të ketë gjithmonë mbështetjen e Kroacisë në luftën kundër terrorizmit, ruajtjes së sovranitetit të vendit dhe po ashtu, në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe në Këshillin Evropian.

MARKETING