Enver Hoxhaj publikon foto të aeroplanit që thotë se ka hedhur më së shumti bomba mbi Serbi
Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, përmes një foto në Facebook ka publikuar aeroplanin që thotë se ka qenë i përfshirë në bombardimet e NATO-s dhe ka hedhur më së shumti bomba mbi Serbi , shkruan Reporteri.net.
Hoxhaj përmes një postimi në Facebook thotë se ky aeroplan ruhet në bazat ushtarake në Lituani.
“Ky aeroplan në fotografi ka qenë i përfshirë në bombardimet e NATO-s dhe është aeroplani që ka hedhur më së shumti bomba mbi Serbi e tani ruhet në bazat ushtarake në Lituani. Përjetë falënderues ndaj ShBA-së dhe Perëndimit për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin dhe shtetndërtimin tonë! 🇽🇰🇺🇸”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Njëzet e katër marsi i sivjetmë shënon 25-vjetorin e fillimit të sulmeve ajrore të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior, e njohur gjerësisht si NATO, kundër objektivave ushtarake dhe policore jugosllave në territorin e Kosovës, raporton gazeta online Reporteri.net.
Bombardimet e aleancës ushtarake perëndimore ndaj Jugosllavisë, që përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi, nisën pas dështimit të negociatave të vitit 1999 për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, teksa pala serbe refuzoi nënshkrimin e një marrëveshjeje për paqe në Rambuje.
Bombardimet, që zgjatën 78 ditë, u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që parashihte administrimin e Kosovës nga një mision i OKB-së.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë mundësoi edhe kthimin e më shumë se 800 mijë refugjatëve në shtëpitë e tyre.
Intervenimi i NATO-s shënoi fillimin e fundit të regjimit serb mbi Kosovën.
Vite më vonë, më 17 shkurt 2008, shpalli pavarësinë e saj.
Aktualisht, në Kosovë janë rreth 4.700 trupa të NATO-s, përfshirë forcën rezervë, në kuadër të misionit paqeruajtës, KFOR.