Takimi Escobar – Kurti: Premtimi i kryeministrit për propozimet për dinarin dhe qasja e SHBA-së ndaj Kosovës
Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, zhvilloi të enjten takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që zgjati rreth 2 orë, ku u diskutuan zhvillimet e fundit në vend dhe ndër të tjera edhe çështja e ‘nxehtë’ për ndalimin e dinarit, raporton Gazeta Sinjali.
Escobar pas takimit njoftoi se ka pasur një bisedë të mirë dhe të hapur me Kurtin sa i përket çështjes së dinarit dhe i cili i ka premtuar se do të shqyrtojë disa prej propozimeve të tij që kanë të bëjnë me këtë çështje.
Ai po ashtu tha se SHBA-ja mbetet partnerja më e besueshme dhe më e angazhuar e Kosovës, por shtoi se çështja e dinarit paraqet sfida në raportet me Kosovën.
“Mund të them që patëm një diskutim të mirë. Kryeministri do t’i marrë parasysh disa propozime që i kam bërë sot. Çdo gjë që kemi bërë këto vite ka qenë në favor të Kosovës. E kemi mbështetur Kosovën në të gjitha proceset demokratike. Kemi qëndruar përkrah Kosovës. Kosova të dëgjojë brengat tona dhe nuk do të duhej të ishte e vështirë.
Të jem i sinqertë, këto sfida janë për shkak të trajtimit tani që po i bëhet minoritetit serb. Është për keqardhje që duhet të kalojmë nëpër këtë situatë. Por, rregullorja e BQK-së për dinarin ka shkaktuar probleme për disa prej qytetarëve e këtij shteti dhe jemi shumë të shqetësuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë çështje, por mendoj se është një çështje urgjente humanitare të cilën duhet ta adresojmë menjëherë”, tha Escobar.
Në pyetjen nëse SHBA-ja ka një qasje të pabalancuar kundrejt Kosovës, Escobar tha se shteti i tij që nga viti i kaluar ka bërë gjithçka në favor të Kosovës.
“Si mund të jemi të pabalancuar? Nuk jemi. Gjithçka që kemi bërë ka qenë për Kosovën dhe do të vazhdojmë të veprojmë kështu. Ndërkohë, ne shpresojmë që Kosova të mund të dëgjojë shqetësimet tona dhe kjo nuk besoj që duhet të jetë shumë e vështirë”, tha ai.
Ndërsa kryeministri Kurti, është deklaruar shkurt në profilin e tij në ”X”, ku tha se Escobarin e ka falënderuar për mbështetjen e SHBA-së dhe e ka informuar edhe për hapat e ndërmarrë, duke shprehur gatishmërinë për adresimin e kësaj çështje në agjendë.
“Kënaqësi të takohem me Gabriel Escobar. E falënderova për mbështetjen e Amerikës dhe theksova nevojën për ta mbajtur përgjegjëse Serbinë për sulmin në Banjska. Gjithashtu e informova atë për hapat që ka ndërmarrë qeveria jonë për të mbështetur tranzicionin e rregullores së Bankës Qendrire dhe gatishmërinë tonë për të adresuar çështjet në agjendë ”, shkruan Kurti.
Gjatë adresimit për gazetarë, Escobar tha se shpreson që Qeveria e Kosovës të jetë fleksibile gjatë një takimi të dialogut të martën e ardhshme.