Ushtria izraelite tërhiqet nga brenda spitalit Nasser, por vazhdon ta mbajë atë nën rrethim

Ushtria izraelite tërhiqet nga brenda spitalit Nasser, por vazhdon ta mbajë atë nën rrethim

Ministria e Shëndetësisë me bazë në Rripin e Gazës ka bërë të ditur se ushtria izraelite është tërhequr nga brenda kompleksit mjekësor Nasser në jug të enklavës, por vazhdon ta mbajë nën rrethim ndërtesën, si dhe spitalin Al-Amal aty pranë, transmeton Anadolu.

MARKETING

Ministria palestineze në rrjetet sociale njoftoi se forcat pushtuese izraelite po pengojnë lëvizjen drejt dhe nga kompleksi mjekësor Nasser në qytetin Khan Younis.

Në njoftimin e ministrisë theksohet se stafi mjekësor ka varrosur 13 pacientë të vrarë në spitalin Nasser si pasojë e ndërprerjes së gjeneratorëve dhe furnizimit me oksigjen si rezultat i rrethimit të ushtrisë izraelite, por nuk përmendet data e vdekjes së tyre.

Duke theksuar se ujërat e zeza kanë vërshuar katet përdhes të spitalit, ministria tha se, “Pushtimi ende pengon riparimin e rezervuarëve të ujit, rrjetit të ujërave të zeza dhe funksionimit të gjeneratorit elektrik në spital”.

Të martën, ministria palestineze tha se është rritur në tetë numri i vdekjeve në njësinë e kujdesit intensiv në spitalin Nasser, të cilit Izraeli i ndërpreu energjinë dhe pengoi funksionimin e makinës së oksigjenit.

Në spitalin Al-Amal, po ashtu në Khan Younis, ministria tha se forcat izraelite “vazhdojnë ta rrethojnë dhe shënjestrojnë atë në mënyrë të përsëritur”.

“Forcat pushtuese po rrezikojnë jetën e ekipeve mjekësore dhe pacientëve në spital për shkak të mungesës së ujit, ushqimit, oksigjenit dhe trajtimit”, paralajmëroi ministria.

Për javë të tëra, ushtria izraelite ka përshkallëzuar fushatën e saj ushtarake kundër sistemit të kujdesit shëndetësor në Khan Younis, ditët e fundit duke detyruar edhe mijëra palestinezë të zhvendosur të largohen nga spital Al-Amal dhe kompleksi mjekësor Nasser.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga 7 tetori, duke vrarë të paktën 29.410 palestinezë dhe duke plagosur rreth 70 mijë të tjerë, ndërsa nga ana tjetër, besohet se më pak se 1.200 izraelitë u vranë në sulmin ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelitë në Gaza ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së territorit të rrethuar mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Për herë të parë që nga krijimi i tij në vitin 1948, Izraeli akuzohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për gjenocid për luftën e tij në Gaza, pasi një vendim i përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

MARKETING